Vuçiç e dekoron Grenell-in me “Urdhrin e Flamurit Serb”

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka nënshkruar një dekret në bazë të të cilit, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, do të dekorojë ish-emisarin special të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, me “Urdhrin e Flamurit Serb”.

Vuçiç do t’ia ndaj diplomatit amerikan medaljen e meritave për “forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”, transmenton mediumi i afërt me regjimin serb “Novosti”.

Do të jetë hera e parë që një amerikan nderohet me medalje presidenciale serbe. Para tij, me “Urdhrin e Flamurit Serb” ishin nderuar kryesisht rusë si, Sergei Shoigu, Sergei Lavrov, Vitaly Churkin e të tjerë, ndërsa i fundit ishte lideri i Frontit Demokratik në Malin e Zi, Andrija Mandiç.

Ndryshe, Grenell ishte ambasador i SHBA-ve në Gjermani dhe më pas përfaqësues për Ballkanin Perëndimor. Ai ishte angazhuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë intensivisht në kohën kur Albin Kurti udhëhiqte me qeverinë e tij të parë.

Kurti e Grenell nuk ishin pajtuar asnjëhere për rrugën përpara. Në Kosovë ishte krijuar përshtypja se Grenell kishte të bënte me rrëzimin e qeverisë Kurti 1 dhe se ka qenë në listën e kontakteve të lobuesëve amerikanë për Serbinë.

Megjithatë, një pjesë e afeksionit të publikut serb ndaj presidentit Donald Trump, i cili kishte qasje të ndryshme nga presidentët e mëparshëm amerikanë, u përhap automatikisht edhe te Grenell.