Kryetari i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiç, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është një kumarxhi i etur që është mësuar të mashtrojë me letra, por këtë herë ka bërë një lojë shumë të rrezikshme, pasi “ka luajtur rulet rus me perëndimin”.
“Dy herët e para ai tërhoqi këmbëzën dhe pati fat, tani e feston si fitore. Por ajo lojë vazhdon dhe zakonisht nuk ka një fund të lumtur”, tha Jeremiç në një tubim të partisë së tij, njofton agjencia serbe e lajmeve Danas.
Jeremiç shtoi se Serbia nuk mund të ndikojë në ngjarjet “në një botë të madhe në trazira”, por se mund t’i bëjë shumë të këqija vetes me lëvizje të gabuara dhe të rrezikshme, të cilat nuk bazohen në parime solide dhe transparente.
“Fatkeqësisht ne në krye të shtetit kemi një kumarxhi pasionant që është mësuar të mashtrojë. Ne e dimë se si i shkon në Serbi”.
Jeremiq deklaroi se “në Serbi është ngritur shumë pluhur për pozicionimin e politikës së jashtme dhe se disa nga opozita zgjodhën një anë – Perëndimin ose Rusinë – dhe këtë e bënë para zgjedhjeve dhe nuk e ndryshuan qëndrimin e tyre as pas zgjedhjeve”.
Vuk Jeremiç ishte ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë në vitet 2007 deri 2012, derisa nga viti 2012, për shkak të rrotacionit, deri në vitin 2013 ishte president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ai në vitin 2017 formoi Partinë e Popullit. Parti që në spektrin politik është e pozicionuar në qendrën e djathtë. Aktualisht në sondazhe ka diku rreth 4 për qind. Në kohë kur Serbisë iu kërkua vënia e sanksioneve për Rusinë, Jeremiç ishte pro dhe e kundërshtoi vendimin e Vuçiç-it që të mos bëhet pjesë e shteteve evropiane që i vënë sanksione Rusisë.