Presidenti i Serbisë zbriti në terren mes ushtarëve dhe armëve, teksa në Berlin flitej për paqen në Ballkan. Aleksandër Vuçiç, ndoqi stërvitjet e forcave të armatosura “Manovrat 2022”, ndërsa nuk e kurseu gjuhën e paralajmërimeve dhe kërcënimeve. Duke komentuar raportimet e Ministrisë së Mbrojtjes për një dron të rrëzuar pranë një baze ushtarake në Rashkë, ai tha se nuk do të lejojë që kazermat serbe të spiunohen. Vuçiç pretendoi se nuk është hera e parë që ndodh “një agresion i tillë ndaj një vendi sovran”. Shqetësim shprehu edhe për veprimet e fundit të NATO-s.
“Dronët Skylark të NATO-s fluturuan dje rreth Brnjakut dhe Jarinjës gjatë gjithë ditës. Kanë qenë 200 deri në 500 metra larg vijës administrative. NATO ka ndjekur të gjitha procedurat atje. I kemi vëzhguar pa problem, por nuk kemi të drejtë t’i rrëzojmë në përputhje me Rezolutën 1244 dhe Marrëveshjen e Kumanovës”, tha Vuçiç.
Pyetjen e gazetarëve se droni i rrëzuar ka qenë një dron dasmash, Vuçiç u përgjigj duke thënë se nuk toleron fyerje të tilla për personelin ushtarak. Gjithashtu, njoftoi se shumë shpejtë do të zbulohet dhe origjina e mjetit fluturues. Vuçiç foli edhe për zhvillimet e fundit lidhur me vendimin e Kosovës për heqjen e targave të vjetra serbe.
Beogradi përfshin rezervistët në “manovrat” ushtarake, shefi i KFOR-it takohet me komandantin e ushtrisë serbe
“Unë jam shumë i shqetësuar për deklaratat e Borrelit dhe disa personave të tjerë, jam i shokuar nga deklaratat e tyre, do të pres që të kalojë vizita e Lajçakut, mund të ndodhë që të anuloj disa nga vizitat e mia të rëndësishme të planifikuara më parë jashtë vendit për shkak të situatës në vend”, shtoi ai.
Presidenti serb foli më tej se ditët në vijim do të njoftojë vendime të vështira dhe paralajmëroi “një dimër ferri” përpara. Vuçiç ndër të tjera, përgëzoi ushtarët për stërvitjen “Manovrat 2022” ku ishin të përfshirë dhe rezervistë, ndërsa njoftoi se janë futur në arsenalin ushtarak 294 pajisje të mëdha luftarake dhe premtoi se për 3 vitet e ardhshme do të shtohen edhe 850 pajisje të tjera. Në këtë stërvitje janë përdorur një sërë armësh, përfshirë edhe sistemin raketor të Rusisë, “Kornet”.