Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka konfirmuar se do të udhëtojë në Moskë për të marrë pjesë në ceremoninë e “Ditës së Fitores” më 9 maj, pavarësisht paralajmërimeve të forta nga Bashkimi Evropian.
Në një fjalim drejtuar publikut, Vuçiç tha se në paradën ushtarake do të marrë pjesë edhe një njësi e Ushtrisë së Serbisë, e cila do të marshojë në sheshin e Kuq të kryeqytetit rus.
“Unë nuk e kam ndryshuar mendjen. Do të jem në Moskë më 9 maj”, u shpreh Vuçiç, duke e bërë të qartë qëndrimin e tij në lidhje me marrëdhëniet me Rusinë.
Ky vendim vjen në një kohë kur shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar ashpër vendet e Ballkanit Perëndimor që të shmangin pjesëmarrjen në ngjarjet zyrtare në Rusi, për shkak të luftës në Ukrainë dhe përpjekjeve të BE-së për të ruajtur një qëndrim të përbashkët kundër agresionit rus.
“E kemi bërë shumë të qartë që nuk duam që asnjë vend kandidat i BE-së të marrë pjesë në këto ngjarje më 9 maj në Moskë”, deklaroi Kallas, duke iu referuar gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE.
Pjesëmarrja e Serbisë në këtë ceremoni shihet si një tjetër sinjal i politikës së saj të balancuar mes Lindjes dhe Perëndimit, në një kohë kur tensionet gjeopolitike janë në rritje. Ndërsa vendet e tjera të rajonit përpiqen të harmonizohen me qëndrimet e BE-së, Beogradi vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Moskën.
Për BE-në, kjo pjesëmarrje përfaqëson një provë të vështirë për përkushtimin e Serbisë ndaj kursit evropian, ndërsa për Vuçiçin, është një demonstrim i qëndrimit të tij të pavarur në skenën ndërkombëtare.