“Vuçiç përhap propagandën ruse”, analiza: Retorikë anti Perëndimit, do Serbinë e Madhe

Serbia është aleati më i afërt evropian i Rusisë, ndërsa Presidenti Aleksandër Vuçiç një prej përhapësve kryesor të propagandës së Moskës në rajon. Kështu thuhet në analizën “Rusia dhe pionerët e autokracisë, si Kremlini po destabilizon Europën”, të publikuar nga Fondacioni gjerman Friedrich Naumann.

Autori, Thomas Brey, gazetar dhe profesor, përmend se Vuçiç është takuar 17 herë me homologun rus Putin, e në 2019 u nderua me urdhërin Aleksandër Nevskit në Moskë, i cili zakonisht u jepet figurave të mëdha ruse. Në analizë theksohet se regjimi në Serbi po përpiqet të zbatojë politikën e “Botës serbe”, bazuar në një projekt i ngjashëm i “Botës ruse”.

“Ky program serbomadh ishte një nga shkaktarët e luftërave të përgjakshme gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Kompania ajrore kombëtare Air Serbia ende fluturon disa herë në javë drejt Moskës dhe qyteteve të tjera ruse. Ka një qendër humanitare ruso-serbe në afërsi të qytetit të Nishit në jug të Serbisë, të cilën kritikët në Perëndim e konsiderojnë qendër për shërbimet e inteligjencës ruse”, shprehet autori, përcjell A2.

Autori i analizës shton më tej se mediat proqeveritare në Serbi janë përçuesit kryesorë të propagandës ruse, ku Rusia ngrihet në qiell dhe Perëndimi demonizohet. Siç thuhet, edhe zyrtarët më të lartë përhapin narrativë proruse dhe antiperëndimore, përfshirë edhe Presidentin Vuçiç. Sipas analizës, narrativa që mbizotëron është se NATO, SHBA apo BE kërcënojnë kombin e tyre.

Brey flet gjithashtu për korrupsion të kudondodhur në Serbi.