Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, në një intervistë për “The Pavlovic Today”, ka folur rreth dialogut të rinisur të Brukselit dhe mungesës së koordinimit në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Vuçiq ka thënë se diskutimet e Brukselit nuk janë si rezultat i dëshirës për dialog, por rezultat i dëshirës së Evropës për të përjashtuar Amerikanët.
“Me të vërtetë, ne duhet të flasim me BE’në dhe kjo duhet të jetë në drejtimin e BE’së sepse ishte vendimi i Kombeve të Bashkuara. Dhe kjo është arsyeja pse e mbështesim një dialog të tillë. Mos keni iluzione, diskutimet e Brukselit nuk janë rezultat i dëshirës tonë për bisedime, por e dëshirës së tyre(evropianëve) për të përjashtuar amerikanët. Unë nuk dua që të futem në këto lojëra të mëdha tani. Jemi shumë të vegjël për t’u futur në raportet komplekse në mes të BE’së dhe SHBA’së. T’i lëmë le ta bëjnë punën e tyre dhe ne punën tonë. Ne s’do të heshtim. Do të flasim me çdo kënd dhe do të kemi diskutime të arsyeshme”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti serb gjithashtu ka lavdëruar punën e Richard Grenell sa i përket dialogut dhe thotë se pa iniciativën e emisarit të Trump nuk do të kishin ndodhur as gjysma e takimeve.
Gjithashtu ka kritikuar disa prej evropianëve, duke thënë se kanë agjendën e tyre dhe pavarësisht se mund të flasësh gjithë ditën ata s’të dëgjojnë fare.