Vuçiq: Heqja e vizave do ta nxisë Kurtin të mos e bëjë asociacionin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se miratimi i sotëm i regjimit pa viza për Kosovën nga Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) do ta inkurajojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të vazhduar, siç tha ai, “politikën e mospërmbushjes së obligimeve nga dialogu”.

Vuçiqi tha për televizionin serb “Happy” se bazuar në deklaratat e sotme nga Prishtina, ku përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak filloi vizitën e tij dyditore, ai “e sheh se pothuajse nuk është bërë ndonjë përparim” dhe se është “pothuajse i sigurt se Kurti është i vendosur” të mos e formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Dhe se e ka të lehtë ta bëjë këtë, tregon edhe vendimi i sotëm (i Këshillit të BE-së) për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët” e Kosovës. “Nuk kemi asgjë kundër kësaj, por momenti në të cilin kjo ndodhë tregon se po e inkurajon Kurtin që të vazhdojë me politikë të mospërmbushjes së obligimeve të veta”, tha Vuçiqi, transmeton Klankosova.tv.

Ai tha se Lajçaku do të shkojë në Beograd të hënën dhe do të qëndrojë deri të mërkurën dhe shtoi se “do të kalojnë dy ditë me të në përpjekje për të gjetur një lloj rruge përpara për normalizimin e marrëdhënieve”.

Vuçiqi tha se qytetarët serbë “duhet ta kuptojnë momentin” në të cilin ndodhet vendi i tij, pra se cilat janë rrethanat gjeopolitike.

“Ne nuk kemi as dhjetë metra hapësirë ​​për të kaluar dhe nëse NATO nuk është rreth nesh, ne nuk mund të sjellim as pajisjet ushtarake që blejmë. Në një situatë ku lufta është ndezur në Ukrainë, askush nuk dëshiron të kuptojë nevojat dhe rrethanat e veçanta me të cilat po përballet Serbia, duke pasur parasysh atë që ndodhi në vitin 1999”, tha më tej presidenti i Serbisë.

Ai tha se “serbëve u pëlqen të pretendojnë se asgjë nuk ka ndodhur as në vitin 1999, as në 2004, as në 2008, as në 2009 as në 2010 e as në 2011” dhe se “për fat të keq Serbisë i kanë ndodhur shumë gjëra të këqija sa i përket Kosovës”.

Sipas tij, askush nga udhëheqja shtetërore e Serbisë “nuk ka shkruar asnjë plan apo propozim” për Kosovën, por se është shkruar nga “fuqitë perëndimore nga Gjermania dhe Franca, dhe SHBA-ja e ka mbështetur plotësisht”.

Vuçiqi tha se “nuk i shkon mendja të nënshkruajë kapitullimin e Serbisë” dhe përsëriti se “nuk do të ketë kapitullim dhe dorëzim”.

“Unë shpjegova në Parlamentin (e Serbisë) se sa i keq është plani (franko-gjerman), por duhet të kuptojmë edhe rrethanat dhe pse duhet të qëndrojmë në negociata. Ua kam bërë të qartë atyre (SHBA-së dhe Bashkimi Evropian) se Serbia nuk do të pajtohet me hyrjen e Kosovës në OKB dhe se nuk do ta njohë në asnjë mënyrë”, tha Vuçiq.

Ai deklaroi se “asnjë gjë epokale nuk do të ndodhë” dhe theksoi se Serbia “duhet të bëjë gjithçka për të arritur pajtimin me shqiptarët”, por se nuk është optimist “duke pasur parasysh se kush është në anën tjetër”.

“Kurti do ta shohë shpëtimin vetëm në sulmet ndaj serbëve dhe në provokime, ai do të vazhdojë rrëfimin se nuk mund të ketë AKS pa njohje (të Kosovës nga Beogradi). Por atij nuk i intereson, ai e fitoi regjimin pa viza, ai do të hyjë edhe në Këshillin e Evropës”, ​​tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.