Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, gjatë një bisede telefonike me presidentin izraelit Isaac Herzog është ankuar se “njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli ishte një zhgënjim për Serbinë dhe qytetarët e saj, por në të njëjtën kohë ka shprehur dëshirën që Serbia me udhëheqjen e re Izraelit, “do të përmirësojnë marrëdhëniet dypalëshe”, ka kumtuar shërbimi për media i Vuçiqit.
“Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme që Serbia dhe Izraeli, përmes bashkëpunimit, të kontribuojnë në zgjidhjen politike dhe paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve, konflikteve dhe çështjeve të hapura”, ka thënë Vuçiqi dhe ka shtuar se “biseda e sotme me presidentin Herzog do të kontribuojë gjithashtu në një mirëkuptim më të mirë ndërmjet dy shteteve”.
Vuçiq ka shprehur pritjen se presidenti Herzog dhe Izraeli do të vazhdojnë të mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur, “çështjen e ndjeshme të Kosovës”.
Ai gjithashtu ka shprehur pritjen që të dy vendet të vendosin kontakte më të shpeshta, në mënyrë që të diskutojnë rregullisht për tema me interes të përbashkët.