Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme nënshkrimin e letrës së synimit për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, për të cilën, siç tha ai, është zhvilluar një dialog i gjatë dhe “është arritur një zgjidhjeje kompromisi për të cilën ku askush nuk mund të thotë se ne e kemi njohur Kosovën”.
Siç raportojnë mediat serbe, presidenti serb Vuçiq, i cili po qëndron në Davos, lidhur me këtë marrëveshje falënderoi të dërguarin special të presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori i SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, këshilltarin për siguri kombëtare i SHBA-së, Robert O’Brien.
“Jam mirënjohës për energjinë dhe përpjekjet e bëra nga Grenell dhe O Brian. Nuk do të jetë e lehtë për ne as për amerikanët t’i bëjmë të gjitha këto. Unë jam mirënjohës për interesin e treguar nga presidenti Trump”, tha Vuçiq, duke shtuar se do të ketë një takim me O’Brian në Davos.
“Është shumë e vështirë të arrihet te ndonjë marrëveshje për këtë çështje. Dua që qytetarët të dinë se sa e rëndësishme dhe e vështirë është”, nënvizoi ai.
Ndaj kritikave se pse operatori në atë linjë të drejtpërdrejtë nuk do të jetë ‘Air Serbia’, Vuçiq tha se “shqiptarët do ta donin këtë më shumë se kushdo tjetër, por që është e pamundur për ne”
“’Air Serbia’ do të duhej të nënshkruajë të gjitha dokumentet me shtetin e Kosovës. Duhet të nënshkruajë një kontratë me Aeroportin ‘Adem Jashari’, madje edhe Kosovën si shtet, të pranojmë që shtresa e ulët e ajrit nuk është nën kontrollin tonë. Prandaj, ne kërkuam dhe luftuam të përfshihej KFOR-i, të kemi një ndërmjetës, dikë që është i përcaktuar për atë hapësirë me Rezolutën e KB”, shpjegoi ai.
Kundërshtarët politikë në Serbi i porositi se kritikat e tyre tregojnë se sa janë jo seriozë dhe se nuk kuptojnë asgjë.
Ai theksoi se Serbia bëri më të mirën që mundi për të konfirmuar se për çfarë angazhohet, për qarkullimin e lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve, dhe në të njëjtën kohë të mbrojë tërësinë territoriale të Serbisë.
“Arritëm të gjejmë një zgjidhje kompromisi ku askush nuk mund të thotë që e keni njohur Kosovën. Ata që sulmojnë dinë pak, nuk kuptojnë asgjë, prandaj pyesni si është e mundur që këta njerëz dikur drejtuan vendin”, tha ai, duke kritikuar ata që po e sulmojnë në Serbi.