Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se përfaqësuesit e BE-së po kërkojnë që Beogradi të zgjedhë një anë në lidhje me Rusinë, raporton media shtetërore ruse RIA Novosti .
“Siç u informova, tani mbetet që të gjithë të shprehen se në cilën anë të perdes duan të qëndrojnë. Në anën ku ekonomia zhduket dhe nuk ekziston, ose në këtë anë të suksesit, ku janë ata”, tha Vuçiq.
Sipas presidentit të Serbisë, Franca, Gjermania, si dhe shtetet e mëdha evropiane, me mbështetjen e SHBA-së dhe Turqisë, i kanë bërë thirrje atij që sa më parë të “zgjidhë problemin e Kosovës”, në mënyrë që kjo t’u japë atyre argumente shtesë në konfrontimin me Rusinë.
Serbia po bëhet një “humbje kolaterale” e krizës dhe e “fuqive botërore joparimore,” tha ai.
Më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, dhe këshilltarët francezë dhe gjermanë për politikën e jashtme dhe ka thënë se nuk do të ketë njohje të Kosovës.