KRYESORE

Vuçiq pretendon se për shkak të Kurtit s’do të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të premten se zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit nuk do të mbahen në zonat serbe në Kosovë, sepse, siç u shpreh ai, “kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk dëshiron t’i lejojë serbët të kenë të drejta elementare”.

“Perëndimi do të thotë se nuk ka mundësi për t’i bërë presion Kurtit dhe do të lëshojë një deklaratë. Tashmë ka pasur një deklaratë nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, dhe kaq”, tha Vuçiq në Dubai, ku po merr pjesë në Samitin e liderëve për ndryshimet klimatike, raporton Beta.

Ai tha se “Kurti insiston ekskluzivisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve”.

“Ne duhet ta njohim Kosovën në mënyrë që serbët të marrin pjesë në zgjedhje. Pikë. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Dhe, këtë e dinë të gjithë në Serbi dhe në Evropë. Është mirë që ata do të reagojnë për këtë, por ne nuk do të kemi asgjë nga ai reagim”, tha Vuçiq.

Më 19 nëntor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një letër dërguar shefit të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport, kishte thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të posaçme, në mënyrë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, që kanë shtetësi të dyfishtë, të mund të votojnë në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare serbe.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se nuk do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës për komunitetin serb të Kosovës muajin e ardhshëm, në mungesë të një kërkese zyrtare nga autoritetet serbe për këtë.

Duke iu përgjigjur zëdhënësit të Bashkimit Evropian (BE), i cili kritikoi Kosovën për ndalimin e mbajtjes së atyre zgjedhjeve në territorin e Kosovës, Bislimi tha se përpjekja për organizimin e zgjedhjeve të “një shteti tjetër në Kosovë” pa kërkesë paraprake, nuk është në frymën e dialogut.

Sipas një praktike që daton nga viti 2017, serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në zgjedhjet serbe dhe votat janë grumbulluar nga OSBE-ja. Më pas, ato vota janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytetet kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është lejuar nga autoritetet e Kosovës deri në vitin e kaluar. Më 2022, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ishte thënë se Serbia duhet t’i bëjë kërkesë direkte Kosovës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në territorin e saj.

Në prill të atij viti janë mbajtur zgjedhjet në Serbi, dhe për herë të parë, Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.

Si rezultat, serbët e Kosovës janë organizuar dhe me autobusë kanë udhëtuar drejt Serbisë, për të votuar.

Në janar të atij viti, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe një rezolutë, përmes së cilës u kundërshtua mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Vendet e QUINT-it – Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania, Italia dhe Franca – dhe Bashkimi Evropian, e patën pritur me keqardhje miratimin e rezolutës.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, ishin ato të 21 qershorit të vitit 2020./REL

FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

Forcat Ajrore Izraelite shkatërrojnë avionë të rrallë luftarakë iranianë F-14

Forcat Ajrore Izraelite kanë publikuar imazhe që konfirmojnë shkatërrimin e dy avionëve luftarakë iranianë F-14…

7 orë ago

Netanyahu nuk përjashton eliminimin e Khameneit, mendon se do të sillte stabilitet

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar të përjashtojë vrasjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ayatollah…

8 orë ago

Laura Fazliu fiton medalje të bronztë në Kampionatin Botëror të Xhudos

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu është renditur e treta në Kampionatin Botëror të këtij sporti,…

8 orë ago

Erdogan thotë se Izraeli po rrezikon ekzistencën dhe të ardhmen e vet

“Me çdo akt shtypjeje, çdo pikë gjaku të derdhur, çdo krim kundër njerëzimit, Izraeli po…

11 orë ago

Drashkoviq: Vrasja e 6 fëmijëve serbë në Pejë, u krye nga regjimi i Millosheviqit dhe UDBA

Ish-politikani dhe shkrimtari serb Vuk Drashkoviq ka thënë se Kisha Ortodokse serbe nuk e ka…

11 orë ago

Trump kërcënoi Iranin, aeroplanmbajtësja amerikane niset drejt Lindjes së Mesme

Aeroplanmbajtësja amerikane USS Nimitz është nisur drejt Lindjes së Mesme, ku do të stacionohet, teksa…

16 orë ago