Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, ka akuzuar asamblistin e LDK-së, Ekrem Rrahmani, se ka tentuar ta sulmojë kryetarin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Në seancën e Kuvendit Komunal të Podujevës të enjten ka ardhur deri te një konfrontim, ku Rrahmani i është afruar Bulliqit, siç shihet ne videoincizim. Më pas ndërhyjnë asamblistët tjerë.
VV-ja në Podujevë ka thënë se kryetari Bulliqi ka paraqitur rastin në polici për tentim sulmi.
VV-ja ka thënë se e gjitha ndodhi pas një debati të gjatë rreth kërkesës së LDK-së prë zëvendësimin e anëtarit të Komitetit për Kumunitete, Demokrat Hodolli.
“Këshilltari Hodollli kohë më parë e ka deklaruar daljen nga Grupi i LDK-së, po nuk ka hequr dorë edhe nga partia e tij. Duke qenë kështu, ai ka vazhduar të jetë anëtar i Komitetit për Komunitete. Por, kërkesa shumë meskine e LDK-së ishte që Hodolli të zëvendësohet me një anëtar tjetër të tyre, gjë që edhe u hodh në votim nga kryesuesi, por që nuk i mori votat e mjaftueshme. Meqenëse dështoi propozimi i tyre, Kryetari Bulliqi për t’i dhënë zgjidhje kësaj kërkese, propozoi që për këtë çështje të kërkojnë përgjigje nga MAPL-ja se si të veprojnë rreth anëtarit të Komitetit për Komunitete. As kjo nuk u mjaftoi dhe Ekrem Rrahmani, eskaloi në fyerje ndaj Kryetarit dhe këshilltarët e LDK-së e penguan edhe rrjedhën e seancës. Ndërkohë, Ekrem Rrahmani shkoi në foltore për ta sulmuar Kryetarin Bulliqi. Sjellja e asamblistëve të LDK-së, e veçmas e Ekrem Rrahmanit, përveç që është e papranueshme, tejkalon çdo sjellje njerëzore. Siç është parë përgjatë këtyre tre vjetëve të këtij mandati, ai të vetmin ‘argument’ e ka arrogancën, fyerjen e sjelljen prej një rrugaçi të papërmirësueshëm. Përfaqësues të tillë, nuk i bëjnë nder jo vetëm Kuvendit Komunal, por as partisë që e përfaqëson. Në Polici rastin e ka paraqitur Kryetari Bulliqi për tentim sulm fizik ndaj tij dhe presim tash që organet e rendit të ndërmarrin hapat e nevojshëm bazuar në legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagimin e VV-së në Podujevë.