Kur u shfaqën video dhe fotografi në prill që tregonin trupat e dhjetëra civilëve të shpërndarë përgjatë një rruge në Bucha, ukrainasit dhe pjesa tjetër e botës shprehën tmerr dhe zemërim.
Por në Rusi, zyrtarët patën një reagim krejtësisht të ndryshëm: mohim. Presidenti Vladimir Putin e hodhi poshtë skenën e tmerrshme si “një provokim” dhe pretendoi se ushtria ruse nuk kishte asnjë lidhje me të.
Por, një hetim tetëmujor nga The New York Times arriti në përfundimin se autorët e masakrës përgjatë rrugës Yablunska ishin parashutistë rusë nga Regjimenti 234 i Sulmit Ajror i drejtuar nga Nënkoloneli Artyom Gorodilov.
Provat tregojnë se vrasjet ishin pjesë e një përpjekjeje të qëllimshme dhe sistematike për të siguruar në mënyrë të pamëshirshme një rrugë drejt kryeqytetit, Kiev.
Ushtarët morën në pyetje dhe ekzekutuan burra të paarmatosur të moshës luftarake dhe vranë njerëz që kaluan rrugët e tyre – qofshin fëmijët që iknin me familjet e tyre, vendasit që shpresonin të gjenin sende ushqimore apo njerëz që thjesht përpiqeshin të ktheheshin në shtëpi me biçikletat e tyre.
Gazetarët e Times kaluan muaj në Bucha pasi forcat ruse u tërhoqën, duke intervistuar banorët, duke mbledhur një sasi të madhe pamjesh të kamerave të sigurisë dhe duke marrë të dhëna ekskluzive nga burime qeveritare.
Në Nju-Jork, hetuesit e Times analizuan materialet dhe rindërtuan vrasjet përgjatë kësaj rruge deri në minutë.
E gjitha tregon për një fushatë të pacipë dhe të përgjakshme që e ktheu një rrugë të qetë periferike në atë që banorët e quajnë tani “rruga e vdekjes”.
Kujdes: Pamjet janë të rënda.