Grurë për tregti jo për bukë, farërat jocilësore penalizojnë fermerët e Myzeqesë

Sasia më e madhe e grurit këtë vit po shkon për prodhimin e bukës, por cilësia e saj nuk i plotëson parametrat.

Farërat e mbjella nuk patën cilësi ndaj fermerët nuk morën as rendimentin e pritshëm. Përveç kësaj, buka e bërë nga gruri i kultivuar në tokat e tyre, nuk ka lëndët e duhura ushqyese.

Fermerët që e kultivuan grurin në Lushnje, po e dërgojnë në fabrikat e miellit duke siguruar nevojat familjare për bukë për të paktën një vit.

Por grumbulluesit e grurit të bukës pohojnë se mielli nuk ka asnjë element ushqimor për të bërë një bukë të mirë sepse mungon gluteni apo rrezja e duhur.

Farërat e grurit shqiptar janë zëvendësuar me të importit. Kultivuesit pranojnë se nuk janë këshilluar me asnjë specialist përpara se të zgjedhin farën ndaj marrin rendiment të dobët. Një pjesë e prodhuesve, mjaftojnë të kryejnë pastrimin e grurit dhe më pas e shesin për farë.

Fermerët e Myzeqesë, mbollën grurë për tregti dhe jo grurë për të bërë bukë. Pjesa më e madhe e tyre priten të kishin rendimente të larta prodhimi, por hasën probleme me farërat.

Rënia e çmimit të grurit këtë vit, deri në 2700 lekë për kuintal, ka bërë që shumë prodhues të mos e shesin, por ta përdorin për nevojat familjare.