Instituti amerikan për Studimin e Luftës ka publikuar raportin më të fundit, sa i përket ofensivës ruse në Ukrainë.
Ky institut ka zbuluar planet e ushtrisë ruse kur bëhet fjalë për fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, e cila prej ditësh po bombardohet.
Gjithashtu thuhet se trupat ruse po vazhdojnë të bëjnë presion mbi Azovstal – ku thuhet se gjenden mbrojtësit e fundit të qytetit port të Ukrainës.
Sipas institutit, forcat ruse do të tentojnë t’i lënë të uritur mbrojtësit e fundit në fabrikë – duke mos lejuar civilët e ngujuar të evakuohen.
E derisa të shtunën ishte planifikuar korridori humanitar për evakuimin e civilëve të bllokuar në qytet, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Ishin mbledhur rreth 200 civilë me shpresën se do të largohen, por trupat ruse i kishin ndalë – duke i paralajmëruar se nëse nuk shpërndahen do të fillojnë granatimet.
Qendra hulumtuese pretendon se Rusia është duke koncentruar sulmet në lindje, dhe se trupat ruse që janë tërhequr nga Kievi – sërish do të dërgohen atje për luftime.
Madje forcat ruse thuhet se do të rrinin ofensivat në ditët në vijim, duke theksuar se është akoma herët të thuhet se sa do të jenë të mëdha.