Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zhvilloi një tjetër takim me presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, e dyta që nga nisja e luftës.
Edhe këtë herë, Zelensky mori mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në përballjen e vendit të tij ndaj Rusisë, teksa kërkoi armë të tjera për të vijuar kundërofensivën, që tashmë ka arritur përparim domethënës.
“Paketa e re e armëve është tepër e fuqishme. Shumë faleminderit presidenti Biden, pasi janë këto që ushtarët tanë kanë nevojë në këto momente. Faleminderit për mbështetjen e tuaj”, tha Zelensky pas takimit në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, që presidenti Biden u shpreh se është i bindur se do të ketë dhe mbështetjen e Kongresit për paketën e re të ndihmave për Ukrainën, teksa informoi se tanket Abraham do të nisin të dislokohen në frontin e luftës duke filluar nga java e ardhshme.
“Tanket Abraham do të nisen të dërgohen duke filluar nga java e ardhshme. Ne jemi përkrah jush dhe do të vazhdojmë të jemi. Ukraina është një partner i SHBA dhe duam një paqe të drejtë dhe që të qëndrojë në kohë, që respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, tha Biden.