Një satelit jofunksional është futur në mënyrë të pakontrolluar në atmosferë mbrëmjen e së dielës (25 gusht), duke kaluar edhe në qiellin e Kosovës, thuhet në një raport të “Space Track”.
Kjo platformë që ofron të dhëna dhe informacione mbi vendndodhjen e satelitëve dhe objekteve të tjera në hapësirë, ka njoftuar se sateliti i kompanisë Starlink, është nisur më 29 janar të 2020-s dhe ka kaluar edhe nëpër hapësirën e Ballkanit.
Sipas portalit në fjalë, mbetjet hapësinore, të përcaktuara nga Komisioni Federal i Komunikimeve të Shteteve të Bashkuara (FCC) si objekte artificiale që rrotullohen rreth Tokës që janë jofunksionale, janë bërë një çështje shqetësuese vitet e fundit.
Në vitin 2022, komisioni miratoi një rregullore që u kërkon operatorëve satelitorë t’i largojnë ato nga orbita brenda një maksimumi pesë vjetësh pas përfundimit të misionit.
Siç thuhet më tej, pas gati 60 vitesh aktivitet hapësinor dhe mbi 5.500 lëshime në hapësirë, rreth 23.000 objekte me diametër më të madh se 10 centimetra rrotullohen rreth Tokës, duke formuar një “re” mbeturinash.