Mes një lumi xhinsesh të shkurtra, selfieve, temash dhe basi të fuqishëm, ambienti mund të ngatërrohet lehtësisht me “Coachella” ose “Glastonbury”.
Kështu e nis shkrimin e saj agjencia franceze e lajmeve AFP, të cilin më poshtë, Klankosova.tv e sjell të plotë.
Për vite me radhë, Kosova ishte e lidhur me luftën e saj të përgjakshme kundër Serbisë, e cila vuri përballë kryengritësit shqiptarë etnikë kundër forcave serbe në fund të viteve 1990, duke lënë mijëra të vdekur dhe duke shkaktuar një krizë refugjatësh.
Por ardhja e Lipës në skenën ndërkombëtare të popit ka ndihmuar në shfaqjen e anën tjetër të Kosovës — të rinj, të talentuar dhe plot ambicie.
Krahas një programi të pafund turnesh, roleve në film dhe organizimit të një podkasti të njohur, Lipa mbetet një nga promovuesit më të zëshëm të të gjitha gjërave në Kosovë.
I nisur në vitin 2018 me babanë e saj, festivali “Sunny Hill” që ajo krijoi ka sjellë disa nga emrat më të mëdhenj për të performuar në këtë cep të vogël të Ballkanit.
Pasditen e vonë të së enjtes, ndërsa notat e para jehonin nga skena kryesore, një turmë e re kaloi nëpër hyrje të festivalit, gjithnjë mirënjohës ndaj Lipës që solli një tjetër listë të mbushur me yje në kryeqytetin Prishtinë.
“Jam shumë e lumtur që ajo po promovon vendin tonë me këta artistë shumë të mëdhenj dhe po i sjell në vendin tonë”, tha Rita Ramadani, 19 vjeçe.
Për edicionin e tij të pestë, “Sunny Hill” krenohet me një listë interpretuesish që rivalizojnë festivalet më të njohura.
Kryesuesit e këtij viti përfshijnë sensacionin britanik të repit Stormzy dhe mbretin e arobeat, Burna Boy.
Bebe Rexha — e cila është gjithashtu me origjinë etnike shqiptare — elektrizoi turmën teksa këndoi hitin e saj global “Me, Myself and I”, ndërsa fliste shqip me publikun mes këngëve.
Flamujt e Shqipërisë dhe të Kosovës ishin të vendosur në skena dhe u shpërndanë nëpër publik gjatë shfaqjeve, ku pjesëmarrësit e festivalit rregullisht mbajnë dy duar të kryqëzuara në shenjën e shqiponjës shqiptare lart.
Në fund të fundit, ky është një festival në Kosovë.
“Jemi të gjithë shumë të lumtur që kjo po ndodh tani dhe njerëzit nga e gjithë bota kanë dëgjuar për Kosovën dhe për ‘Sunny Hill’. Falë Dua Lipës”, tha pjesëmarrësja e festivalit Nita Krasniqii.
E ndërsa festivali tërheq mijëra vendas, dashamirës të muzikës nga jashtë po bëjnë rrugën e tyre për në Prishtinë.
“Ne jemi këtu sepse ka muzikë të mrekullueshme”, tha Michael Maguire, i cili udhëtoi për në festival nga Brukseli me miqtë.
“Kosova është një vend i mrekullueshëm, plot me të rinj dhe shumë të gjallë”.
Por organizimi i një koncerti në Kosovë nuk ka qenë gjithmonë i lehtë.
“Në vitet e para ishte më e vështirë të ftoheshin artistë pasi menaxherët e tyre kërkonin në internet informacione për Kosovën dhe shihnin se mund të ishte e rrezikshme”, tha babai i Lipës dhe bashkëthemeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa për mediat lokale.
“Tani nuk e kemi atë problem se kemi ndërtuar një emër”!
Sipas organizatorëve, rreth 45 për qind e biletave të festivalit këtë vit janë shitur jashtë vendit.
Me çmim 200 euro një biletë — që është gati gjysma e pagës mesatare mujore në Kosovë — pak të rinj vendas janë në gjendje të përballojnë hyrjen në festivalin katër-ditor.
Për të ndihmuar në kontrollin e kostove, qeveria komunale e Prishtinës ofroi tokën, sigurinë, transportin dhe grumbullimin e mbeturinave falas.
“Është mrekulli që ndodh në Prishtinë”, tha për AFP kryebashkiaku Përparim Rama.
“Na ofron mundësinë fantastike për të shfaqur njerëzit tanë, kulturën tonë, trashëgiminë tonë”.
Edhe pse Lipa nuk është planifikuar zyrtarisht të performojë këtë vit pasi ajo e menaxhon festivalin nga anash dhe ndjek performancat nga seksioni VIP, vëmendja mbetet e fiksuar tek ajo.
“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës themi Zoti e ruajt Amerikën”, ka bërtitur reperi Mozzik për publikun gjatë setit të tij.
“Unë them ‘Zoti e ruajt Dua Lipën’”.