Zvicër: E bëri Ferrarin për skrap, ngritet aktakuzë ndaj 22-vjeçarit nga Kosova

Në maj të këtij viti, një 22-vjeçar nga Kosova e kishte shkatërruar një makinë të tipit “Ferrari”, gjatë një gare me makina në Dietikon në Zvicër.

Me këtë Prokuroria ka ngritur akuzë kundër tij dhe kundër një shtetasi zviceran.

Kjo u konfirmua edhe nga Zyra Kantonale e Prokurorisë.

Pas aksidentit, kosovari, i cili voziste Ferrarin, është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Si pasojë e përplasjes së fuqishme, makina ka pësuar dëme të mëdha materiale sa që Ferrari është dashur të dërgohet për skrap (hekura).

Kosovari gjendet ende në paraburgim tash e shtatë muaj.

Përplasja ka ndodhur kur ai po shkonte në drejtim të Spreitenbach-ut.

Automjeti kishte rrëshqitur për shkak të shpejtësisë së madhe dhe ishte përplasur në një mur.

Prokuroria publike Limmattal e ka dorëzuar aktakuzën në Gjykatën e Qarkut në Dietikon, në fund të shtatorit, shkruan Limmattaler Zeitung, përcjell Klankosova.tv.

Kjo prokurori e akuzon 22-vjeçarin për “shkelje të rëndë të cilësuar të rregullave të qarkullimit rrugor”.

Në garë ishte i përfshirë edhe një zviceran.

Sipas njoftimit të prokurorit publik, në lidhje me aksidentin është zhvilluar edhe një procedurë tjetër.

“Në rrjedhën e hetimeve është konstatuar se 22-vjeçari kosovar, para aksidentit në Dietikon, ka qenë duke garuar me një shofer tjetër, zviceran, i lindur në vitin 1966″.

Prandaj, Prokuroria publike Limmattal ka ngritur akuzë po ashtu edhe kundër tij, në Gjykatën e Qarkut të Dietikonit, në fund të shtatorit 2021.

Është brengosëse se rruga lokale në Dietikon është përdorur si një pistë garash.