ZyrtarI i lartë rus, Nikolai Patrushev e ka përshkruar njoftimin e Lituanisë për të ndaluar transitin e materialeve të sanksionuara nga Bashkimi Evropian në Rusi përmes Kaliningradit, enklavës së Rusisë në BE, si “armiqësore” dhe premtoi hakmarrje.
“Rusia me siguri do t’i përgjigjet veprimeve të tilla armiqësore. Masat janë duke u përpunuar në format ndërinstitucional dhe do të merren në të ardhmen e afërt”, tha ai sipas agjensisë shtetërore të lajmeve Ria Novosti.
“Pasojat e tyre do të kenë një ndikim serioz negativ në popullatën lituaneze”, shtoi ai.
Patrushev mbërriti në Kaliningrad, i cili ndodhet midis Polonisë dhe Lituanisë në bregdetin Baltik, të martën për t’u takuar me guvernatorin e saj, Anton Alikhanov.
Hekurudhat e Lituanisë, kompania shtetërore hekurudhore, e kishte njoftuar Rusinë se duke filluar nga mesnata e 18 qershorit, trenat tranzit me mallra që i nënshtrohen sanksioneve të BE-së nuk do të lejohen më të kalojnë, tha Alikhanov në kanalin e tij telegram të premten.
Sipas lajmeve shtetërore ruse, të përfshira në listën e mallrave të ndaluara të publikuara nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kaliningradit janë pajisjet industriale, veglat e makinerive dhe makinat për prodhimin dhe materialet e ndërtimit, si dhe mallra të ndryshme luksoze, vepra arti dhe antike dhe pajisje golfi sipas agjencisë TASS.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme të Lituanisë shkroi në Twitter se tranziti i pasagjerëve dhe mallrave të pasanksionuara vazhdon pa ndërprerje, se vendi nuk ka vendosur asnjë kufizim të njëanshëm, individual apo shtesë dhe se po vepron plotësisht në përputhje me ligjin e BE-së.