1 vit nga ardhja e gazetares ukrainase që i dinte vetëm 2 gjëra për Kosovën: Tani e flet Gjuhën Shqipe

Lydmila Makey, gazetare nga Ukraina, ka mbushur një vit qëndrimi në Kosovë.

Para një viti, gazetarja Kosovën e njihte vetëm si prejardhjen e Nënës Terezë dhe faktin që Ukraina nuk e kishte njohur shtetin tonë. Por, tani ajo flet shumë mirë shqip.

“Të gjithë ‘jetën’ time e paketova në një çantë krahu, kisha një laptop, pantollona, disa bluza dhe një brushë” – e nisë kështu rrëfimin Makey, sa herë që pyetet për ditën e saj të parë në Kosovë.

Ajo u strehua në Kosovë si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë”.

Postimin më poshtë kushtuar njëvjetorit të qëndrimit të saj në Kosovë e ka publikuar AGK:

1 vit i Lydmila Makey në Kosovë
17 prilli i vitit 2022 – gazetaren nga Ukraina, Lyudmila Makey, e gjeti në shtetin e Kosovës, në të cilin u strehua si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë”, i iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, përkrahur financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe implementuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Në atë kohë, Makey, Kosovën e njihte vetëm si prejardhjen e Nënës Terezë, dhe faktin që Ukraina nuk e kishte njohur këtë shtet, i cili po i dilte në ndihmë popullit dhe gazetarëve ukrainas.
“Të gjithë ‘jetën’ time e paketova në një çantë krahu, kisha një laptop, pantollona, disa bluza dhe një brushë” – e nisë kështu rrëfimin Makey, sa herë që pyetet për ditën e saj të parë në Kosovë.
Në fillim, gazetarja ukrainase e fliste shumë pak gjuhën angleze, dhe komunikimi bëhej nëpërmjet përkthyeseve, e herë pas here, edhe me ndihmën e Google Translate. Por, tash një vit më vonë, Makey jo vetëm që e flet rrjedhshëm gjuhën angleze, ajo e flet shumë mirë edhe gjuhën shqipe.
Në një intervistë të shkurtër dhënë AGK-së, Makey tha se ani pse nuk e ka ditur se çfarë e pret në Kosovë, megjithatë ajo qysh në ditën e parë e ndjeu simpatinë e qytetarëve të Kosovës.
“Gjatë qëndrimit tim në Prishtinë për këtë 1 vit, shkrova shumë artikuj për mediat ukrainase dhe evropiane. Nga këto që shkrova, shpresoj që të kem mundësinë që të botoj një libër dhe të tregoj përshtypjet e mia nga Kosova. Jam e lumtur që kam mundur të jem e dobishme jo vetëm për vendin tim, por edhe gjithashtu për popullin e mrekullueshëm të Kosovës – shtet ky që u bë shtëpi e dytë për mua. Jam krenare që kam bërë miq të jashtëzakonshëm, dhe se në Gjuhën Shqipe mund të ju them ‘Faleminderit dhe ju dua shumë!’”, tha Makey.
Bordi dhe Stafi i AGK-së, është krenar që pranoi zbatimin e këtij programi pa i menduar dy herë vështirësitë që mund të dilnin rrugës, duke qenë hera e parë e një programi të tillë në Kosovë. Falë angazhimit në AGK, koordinimit të shkëlqyeshëm me ECPMF dhe kontributit të MPJ-së e MPB-së, Lyudmila sot është një qytetare më shumë e Prishtinës, dhe e Kosovës dhe jep kontributin e saj në gazetari, siç e bëjnë edhe të tjerë gazetarë ukrainas e afganë në kuadër të programit.