42 -vjeçari nga Kamenica dyshohet se e mbyti gruan e tij me shufër metalike

Një vrasje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme, rreth orës 13:20 në fshatin Berivojcë të Kamenicës, ku po dyshohet se një burrë 42-vjeçar ka vrarë gruan e tij 34-vjeçare.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, tha për Sinjali se nga hetimet e para dyshohet se burri e ka mbytur bashkëshorten e tij me një shufër metalike.

Maloku tha se për momentin nuk dihet motivi i vrasjes, derisa prokurorët dhe hetuesit ndodhen në vendin e ngjarjes.

“Po dyshohet se i dyshuari e ka goditur me shufër metalike tani viktimën. Motivet nuk po dihen ende, vetëm sa kemi dalë në vendin e ngjarjes”, tha ai.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, për Gazetën Express tha se i dyshuari është arrestuar nga policia.

“Sot, më 25.07.2020, rreth orës 13:20, policia është njoftuar për një vrasje në fshatin Berivojcë të Kamenicës. Dyshohet se një mashkull (rreth 42 vjeçar), ka vrarë gruan e tij (rreth 34 vjeçare). Njësitet policore i janë përgjigjur vendngjarjes. Është arrestuar i dyshuari, është njoftuar prokurori dhe po vazhdon kompletimi i rastit nga hetuesit policorë”, tha Krasniqi.