Monza, “La Pista Magica” rezervoi një tjetër “Grand Prix” të jashtëzakonshëm që u kurorëzua me një rezultat ëndrrash për Ferrari-n kur Charles Leclerc fitoi garën e shtëpisë. Në vazhdim do t’ju njohim me fituesit e “Italian Grand Prix 2024” në Monza që u transmetua në Euronews Albania dhe IN Radio.
Charles Leclerc – Për të dytën herë këtë sezon u realizua një ëndërr për Charles Leclerc. I cili pas fitores së parë në Monaco, arriti të dytën në Monza, shtëpinë e Ferrari-t dhe tifozëve të përjetshëm të “Scuderi-së”. Piloti “Monegasque” menaxhoi gomat në perfeksion për të 7-ën fitore në karrierë. Gjithashtu arriti të 3-in podium radhazi pas dy vendeve të 3’ta duke qëndruar 86 pikë larg kryesuesit Max Verstappen dhe vetëm 24 pas Lando Norris.
Tifozët – Çdo vit ata vijnë në Monza me një ëndërr, të shohin pilotët e Ferrari-t në podium. Pas Provave Zyrtare, shpresat u shtuan megjithëse McLaren dhe Mercedes u dukën të forta. Mirëpo të dielën, shpejtësia e “Scuderi’së” dhe strategjia me një ndalesë në bokse ndihmuan Leclerc të fitonte dhe tifozët të festonin.
McLaren – Mund të duket e çuditshme që McLaren është këtu pas humbjes së “Italian Grand Prix” dhe vërtetë, humbja nuk është asnjëherë ideale por strategjia me dy ndalesa ndihmoi skuadrën të merrte pikë të arta ndaj Red Bull. Piastri dhe Norris kanë fituar secili 85 pikë në 5 garat e fundit, çka tregon momentumin e tyre ndërsa McLaren është vetëm 8 pikë larg Red Bull në betejën e konstruktorëve.
Alex Albon – Në një pistë ku Williams e dinte që kishte një makinë të përshtatshme për pistën, Alex Albon ja doli të bënte paraqitjen e duhur në Monza. Për të 4 herë radhazi ai u kualifikua në sesionin e 3-të kualifikues në Tempullin e Shpejtësisë. Kreu një ndalesë në bokse, u mbrojt mirë nga Fernando Alonso dhe qëndroi mjaftueshëm pranë Kevin Magnussen, duke marrë vendin e danezit pas penalitetit.
Franco Colapinto – Williams ndihet krenar për debutuesin argjentinas pasi Franco Colapinto u rendit në vendin e 12-të në Monza. Ai zëvendësoi Logan Sargeant dhe pas vendit të 18-të në prova, administroi shumë mirë gomat e forta, e mbylli garën me një pit stop dhe 13.852 sekonda pas Albon në vendin e 9-të. Një rezultat i jashtëzakonshëm për dikë që më herët kishte drejtuar vetëm 8 xhiro një makinë Williams F1.