Tom Corley, kontabilist, planifikues financiar dhe autor i librave “RichKids: How to Raise Our Children to Be Happy and Successful in Life” dhe “Rich Habits: The Daily Success Habits of Wealthy Individuals” ka kaluar pesë vjet duke intervistuar dhe duke studiuar 233 milionerë, për të mësuar për zakonet e tyre dhe mënyrën se si ata mendojnë.
Njerëzit e pasur, që ai intervistoi, kishin prejardhje dhe përvoja të ndryshme, por të gjithë kishin të paktën 160,000 dollarë të ardhura bruto vjetore, si dhe 3.2 milionë dollarë aktive neto.
Corley thotë “Më interesonte veçanërisht, se për çfarë i shpenzojnë paratë e tyre. Por, pothuajse të gjithë, më thanë se ajo që kontribuoi më shumë në pasurinë e tyre, ishte se ata ndaluan së shpenzuari para për gjëra të caktuara.”
- Ushqime të përpunuara dhe të paketuara
Për t’i dhënë përparësi shëndetit, ata ndaluan së bleri ushqime të përpunuara me cilësi të ulët dhe në vend të kësaj, zgjodhën ushqime organike ose të shëndetshme, që nuk kishin konservues.
Ata shpesh kërkonin produkte, që mund të bliheshin në vendin e origjinës dhe shkonin në tregjet e fermerëve dhe tregjet ushqimore, që njiheshin për prodhimet dhe mishin me cilësi të lartë.
- Produkte të prodhuara me çmim të ulët
Ata refuzuan të ‘hidhnin’ para për tendencat më të fundit të modës, apo mobilie të lira dhe me cilësi të dobët.
Në vend të kësaj, shumë zgjodhën të investonin në materiale cilësore për veshjet dhe shtëpinë e tyre.
Shpesh, kostoja ishte dy deri në tre herë më e lartë, se veshjet dhe mobiliet me cilësi të ulët. Por ata ishin të kënaqur, duke bërë blerje më të mëdha, sepse do të ishte më pak e shtrenjtë, se zëvendësimi i vazhdueshëm i produkteve të lira.
- Riparime të kushtueshme të shtëpisë ose makinës
Në të njëjtën mënyrë, shumë prej milionerëve, thanë se duke pasur parasysh opsionin, ata zgjidhnin të shpenzonin para për të zëvendësuar plotësisht gjëra si çatitë e vjetra, makinat larëse, pjatalarëse, frigoriferët, furrat dhe madje edhe automjetet, në vend që të investonin fondet e tyre të fituara me vështirësi, në riparime të shtrenjta.
Ndërsa kjo ishte shpesh më e kushtueshme, ata racionalizuan se diçka e re do të zgjaste shumë më gjatë se diçka e riparuar.
- Mjetet dhe pajisjet e jashtme
Ndërkohë, që disave u pëlqente ende të bënin punë në natyrë, si kositja, pastrimi i barërave të këqija etj., pjesa më e madhe, sapo u pasuruan, punësuan punëtorë për t’u kujdesur për të gjithë mirëmbajtjen e jashtme të pronave të tyre.
Ajo që po blinin, ishte koha. Duke qenë se nuk kishin më nevojë t’i kushtonin një ose dy orë çdo javë për të mirëmbajtur pronën e tyre, kjo u dha atyre më shumë kohë për të pushuar, për t’u çlodhur ose për t’u përfshirë në aktivitete krijuese.
- Biletat e lotarisë
Shumë nga milionerët, iu shmangën lojërave të fatit, ndërsa po ndërtonin pasurinë dhe ky vendim, u shtri në jetën e tyre të re financiare.
Ata treguan se pasi u pasuruan, refuzuan të shpenzonin para për biletat e lotarisë dhe do të nxisnin punonjësit, familjen dhe miqtë e tyre të bënin të njëjtën gjë.
Meqenëse gjasat për të fituar ndonjë llotari janë të pakta, ata e shohin këtë shpenzim si humbje parash.
Në vend të kësaj, ishte më mirë, që ato fonde të shpenzoheshin për përvoja të reja.