Seanca për zgjedhjen e presidentit/es së Kosovës është shtyrë për nesër 28 prill, në orën 10:00.
Kuvendi i Kosovës, i cili përbëhej vetëm nga deputetët e partisë në pushtet, pa Haxhi Avdylin, sonte votoi për dy kandidatet për presidente të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
Feride Rushiti mori 63 vota në raundin e parë ndërsa kandidatja Hoxha asnjë votë. Një votë tjetër ishte e pavlefshme.
Partitë opozitare nuk morën pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentes së Republikës së Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në vazhdimësi iu bëri thirrje deputetëve të grupeve tjera parlamentare që t’i bashkohen kësaj seance. Haxhiu madje me të nisur seanca deklaroi se kanë informacione që ata gjenden në zyrat e tyre brenda ambientit të Kuvendit të Kosovës.
Kësaj seance i parapriu një tjetër në orën 17:00 e cila u ftua vetëm për të diskutuar për çështjen e presidentit e ku tërhoqën kandidaturat e tyre për këtë pozitë, zëvendëskryeministri aktual Glauk Konjufca dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. As në këtë seancë nuk morën pjesë partitë opozitare.
E gjatë kësaj seance, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi se opozita e ka bojkotuar procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës dhe se sipas tij kjo mund të kuptohet vetëm si mosrespektim i verdiktit të popullit.
Sipas Kurtit, nuk qëndron as arsyetimi i opozitës se nuk duan që Vetëvendosja të mbajë tri pozitat kyçe të udhëheqjes së shtetit sepse ai thotë se opozitës ia ka ofruar pozitën e kryeparlamentarit, e po ashtu është bërë ofertë që të propozohen tre emra për president konsensual.
Kryeministri Kurti akuzoi se ka koalicione paszgjedhore të cilat nuk po deklarohen por që është arsye e madhe e kësaj bllokade. Kurti deklaroi se qëllim kanë ta dëmtojnë LVV-në.
Por, sipas zv.kryeministrit Glauk Konjufca, partitë opozitare e dinë që nuk mund t’i marrin 50% të votave në zgjedhjet e ardhshme në rast se vendi i nënshtrohet në këtë periudhë këtij procesi.
Ndonëse opozita nuk mori pjesë në këtë seancë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, kërkoi nga partia në pushtet që të tregojë se a i ka 66 vota për Vjosa Osmanin si kandidate për presidente. Sipas Kica-Xhelilit, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar propozim jo partiak dhe këtë ia ofroi LDK-ja përmes Osmanit si kandidate.
Seanca e dytë e cila u ftua për në orën 20:30, nga Partia Demokratike e Kosovës u quajt joserioze pasi deklaruan se ftesën e pranuan pak minuta para se të fillojë seanca.
Gjithsesi, seanca e radhës për zgjedhjen e presidentit është më 28 prill me fillim në orën 10:00.
28 prilli është data e fundit e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së Republikës së Kosovës.
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…
Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…
Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…
Një efektiv i Policisë së Shtetit u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një…
Autori i vrasjes së një polici dhe plagosjes së një efektivi tjetër mëngjesin e sotëm…