Deputeti Bahrim Shabani nga grupi parlamentar multietnik, tha se ata nuk do ta votojnë Kodin e ri Civil, duke theksuar pjesën në draft ku i hapet rrugë të drejtës që personat e së njëjtës gjini të mund të martohen në të ardhmen.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca i tha deputetit Shabani të mos e keqërdor Kodin e ri Civil, pasi tha se aty nuk përfshihet çështja e martesës.
“Z. deputet, nëse mund t’ju kërkoj të mos e keqpërdorni dhe të mos e keqinterpretoni Kodin e ri Civil. Kodi Civil nuk e lejon martesën e gjinive të njëjta”, tha Konjufca.
“Askund në Kodin Civil nuk është e lejuar martesa e gjinisë së njëjtë”, shtoi ai.
Shabani kërkoi replikë dhe e mori fjalën duke nisur ta lexojë pjesën ku flitet për çiftet e së njëjtës gjini.
“A e dini dallimin mes martesës dhe bashkësisë civile?”, e ndërpreu Konjufca.
“Kryetar, unë fola shumë qartë. Fola në gjuhën boshnjake. Besoj se kam qenë shumë i qartë”, ia ktheu Shabani.