Abdixhiku: Marrëveshja Kurti-Vuçiq, gabim historik

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar lëshimin më të madh dhe gabim historik pranimin që Kosova i bëri përmbajtjes së propozimit evropian për dialogun me Serbinë.

Sipas tij, pajtimi për përmbajtjen e propozimit më 27 shkurt, është e rrezikshme për Kosovën.

“‘Pa paragjykim ndaj statusit’ – kështu nis marrëveshja e Kurtit me Vuçiqin. Ky formulim, në preambulë, neutral ndaj statusit, është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në procesin e dialogut. Është barazim i refuzimit serb ndaj pavarësisë me vet aktin e shpalljes së pavarësisë. Madje edhe marrëveshja e fusnotës kishte referencë interpretimin e GJND-së ndaj pavarësisë sonë. Ky është një gabim historik. Ne pritëm një marrëveshje për njohje, ky na solli një që i vë dykuptimësi statusit politik të vendit tonë”, ka thënë Abdixhiku në një tubim të LDK-së në Gjilan, bëhet e ditur në një komunikatë të partisë të shtunën.

Abdixhiku po ashtu ka thënë se “kryeministri nuk ka folur asnjëherë për kapërcimin e trashëgimisë mbi të kaluarën”. “Ka folur gjithnjë për ballafaqimin e Serbisë me të kaluarën, por tashmë në këtë dokument ai pajtohet të tejkalojë trashëgiminë e së kaluarës. Dhe jo vetëm kaq. Me lehtësi të jashtëzakonshme ai u pajtua të tejkalojë trashëgiminë e së shkuarës me Serbinë. Nuk tejkalohet asnjë trashëgimi pa ballafaqim. Nuk kapërcehet trashëgimia e Serbisë në raport me Kosovën me dy rreshta në një marrëveshje”, ka thënë ndër të tjerash Abdixhiku.

Abdixhiku e ka vlerësuar të rrezikshme për vendin çështjen e “neutralitetit ndaj statusit”.

“Në marrëveshjen me neutralitet ndaj statusit e me tejkalim të së kaluarës si vlerë, kryeministri i Kosovës i ka hapur dy dyer të rrezikshme për vendin. E para ka të bëjë me një organizim vetmenaxhues që është më shumë se Asociacion. E dyta ndërsa me Statusin Politik të Kishës Ortodokse Serbe. Shihni problemet në vendet fqinje për të kuptuar përmasën e këtij lëshimi”, ka thënë Abdixhiku.