Për sa kohë që në Perëndim ne këmbëngulim të ndërtojmë mure nga çimento apo tela me gjemba , në Afrikë është duke u zhvilluar plani më ambicioz i të gjitha kohërave, një “mur” pemësh që kur të përfundojë do të jetë 8000 kilometra i gjatë dhe do të jetë çudia më e madhe natyrore në planet.
Muri do ta “ndajë” Afrikën horizontalisht në dysh, në lartësinë e Sahelit, rajoni subsaharian.
Projekti filloi në vitin 2007, por si ide ka filluar që nga vitet 1970. Sahel është një nga pjesët më të varfra të botës dhe varfëria ka arritur kulmin e saj kur ndryshimet klimatike e kanë transformuar peizazhin në një brez të gjerë të thatë toke.
Thatësirat e vazhdueshme, mungesa e ushqimit, konfliktet e pafundme të luftës dhe shpërngulja masive e banorëve në kërkim të një fati më të mirë, e kthyen zonën në një shkretëtirë, megjithëse nuk është kështu. Një zonë dikur plot me pasuri natyrore është kthyer në një ferr në tokë.
Ishte atëherë që komunitetet lokale, nga Senegali në perëndim deri në Xhibuti në lindje, vendosën të rezistonin. Ndërtimi i Murit të Gjelbër ka përparuar tashmë me 15%.
Çfarë është Muri i Madh i Gjelbër?
Pemët. Në thelb janë pemë, të cilat mbillen aty ku kanë qenë, por tani ka tokë të thatë.
Megjithatë, nuk është aq e thjeshtë sa duket. Ripyllëzimi i rajonit premton shumë më tepër sesa ndryshimi i ngjyrës së tij në hartën gjeografike: në thelb, ai kërkon të jetë një zgjidhje alternative dhe e qëndrueshme për problemet që mundojnë jo vetëm kontinentin afrikan, por të gjithë planetin, ndryshimet klimatike, thatësira, shkretëtirëzimi, uria, konflikti dhe migrimi.