KRYESORE

Agjentët e FBI-së bastisin rezidencën e ish-presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago në Florida

Ish-presidenti Donald Trump tha në një deklaratë të gjatë të hënën se FBI-ja po kryente një kontroll në pronën e tij në Mar-a-Lago dhe pohoi se agjentët kishin thyer një kasafortë të tij. Një person me njohuri për çështjen tha se veprimi kishte të bënte me një hetim që kërkon të zbulojë nëse Donald Trumpi kishte marrë të dhëna të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë në rezidencën e tij në Florida.

Veprimi, të cilin FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë nuk e konfirmuan menjëherë, shënon një përshkallëzim dramatik në ekzaminimin e kujdesshëm që forcat e zbatimit të ligjit po bëjnë ndaj Trumpit dhe vjen pasi ai ka lënë të kuptohet se mund të hyjë në një tjetër garë për president. Megjithëse urdhri për kontroll nuk sugjeron se akuzat penale janë të mundshme apo të pritshme, zyrtarët federalë që kërkojnë të marrin një urdhër të tillë duhet të demonstrojnë se kanë një shkak të dyshojnë se mund të ketë ndodhur një krim.

“Pas punës dhe bashkëpunimit me agjencitë përkatëse qeveritare, kjo bastisje e paparalajmëruar në shtëpinë time nuk ishte e nevojshme apo e përshtatshme”, tha zoti Trump në deklaratën e tij.

Ai shtoi: “Këto janë kohë të errëta për kombin tonë, pasi shtëpia ime e bukur, Mar-A-Lago në Palm Beach të Floridës, është aktualisht nën rrethim, po bastiset dhe kontrollohet nga një grup i madh agjentësh të FBI-së. Asgjë si kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë, nuk i ka ndodhur më parë një presidenti të Shteteve të Bashkuara”.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Dena Iverson nuk pranoi të komentojë mbi kontrollin, duke përfshirë pyetjen nëse Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland e kishte autorizuar personalisht urdhërin.

Një person në dijeni me çështjen, i cili foli në kushte anonimiteti pasi hetimi është në vazhdim, tha se kontrolli ndodhi më herët të hënën dhe agjentët po kërkonin gjithashtu të shihnin nëse Donald Trump kishte dokumenta presidenciale shtesë ose ndonjë dokument sekret në pronën e tij.

Departamenti i Drejtësisë ka hetuar praninë e të dhënave të klasifikuara brenda 15 kutive që u morën nga rezidenca Mar-a-Lago nga Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrimeve në fillim të këtij viti. Arkivi më pas ia referoi çështjen Departamentit të Drejtësisë.

Ligji federal ndalon vendosjen e dokumentave të klasifikuara në vende të paautorizuara, megjithëse është e mundur që zoti Trump mund të përpiqet të argumentojë se, si president, ai ishte autoriteti përfundimtar i deklasifikimit.

Ka shumë ligje që rregullojnë informacionin e klasifikuar, duke përfshirë një ligj të dënueshëm deri në pesë vjet burg që e bën krim heqjen e të dhënave të tilla dhe mbajtjen e tyre në një vend të paautorizuar. Një ligj tjetër e bën krim keqpërdorimin e të dhënave të klasifikuara me dashje ose në një mënyrë jashtëzakonisht të pakujdesshme.

Hetimi nuk është e vetmja dhimbje koke ligjore me të cilën përballet Trumpi. Një hetim tjetër lidhur me përpjekjet e zotit Trump dhe aleatëve të tij për të zhbërë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe trazirat e 6 janarit 2021 në Kongres është intensifikuar gjithashtu në Uashington.

Një prokuror qarku në kontenë Fulton në shtetin Xhorxhia po heton nëse Donald Trumpi dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë kërkuan të ndërhynin në zgjedhjet e atij shteti, të cilat u fituan nga demokrati Joe Biden./VOA


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • KRYESORE

Izraeli dërgoi trupa në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin si pjesë e një rrjeti sekret në të gjithë rajonin

Izraeli vendosi fshehurazi njësi elitare ushtarake dhe të inteligjencës në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin,…

4 orë ago
  • KRYESORE

Hovenier: Nëse Kosova s’i përgjigjet ofertës së Trumpit për gazin, SHBA-ja mund të humbasë interesin për të

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se administrata e presidentit Donald Trump ka…

13 orë ago
  • POLITIKE

Rama: Protestat për Zvërnecin janë “luftë hibride”, po përdoren nga armiqtë e Shqipërisë dhe Izraelit!

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për Euronews se protestat kundër projektit të…

14 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Gjashtë të kërkuar ndërkombëtarisht ekstradohen nga Dubai drejt Shqipërisë

Gjashtë shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe…

14 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Policia e Kosovë e arrestoi kryetarin serb të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, i cili e dëmtoi me sprej obeliskun “Mitrovica”

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, të premten është shoqëruar në Policinë e Kosovës,…

23 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Shfaqet në Gjirin e Orikumit një nga gjitarët më të rallë në botë

Një pamje gjithnjë e më e zakonshme në ujërat e Gjirit të Orikumit është shfaqja…

1 ditë ago