Ishte një prej aktorëve më të vlerësuar të gjeneratës së tij, në Francë por jo vetëm. Por jeta e tij plot çmime përfundoi në një pistë skiimi në Alpet franceze.
Bota e kinematografisë u trondit sot për vdekjen e parakohshme të 37 vjeçarit Gaspard Ulliel, fitues e çmimeve të ndryshme në Francë dhe jo vetëm.
Një karrierë ajo e Ulliel, e filluar vetëm 19-vjeçar, i dyzuar midis kinemasë dhe jetës si model, në reklama të drejtuara edhe nga një mit si Martin Scorsese.
Publiku i gjerë do ta njihte në personazhin e ushtarit të luftës së parë botërore, në filmin “Një e dielë e gjatë plot pasione, por edhe në rolin e stilistit Yves Saint Lauren, ndërkohë që merr çmimin Cesar për interpretimin në filmin “Është vetëm fundi i botës”, me Vincent Cassel dhe Marion Cottilard.
Publiku ndërkombëtar e ka njohur atë në interpretimin e kanibalit më të njohur të kinematografisë, Hannibal Lecter, në filmin po me të njëjtin emër të vitit 2007, ndërkohë që kishte marrë pjesë kohët e fundit edhe te filmi hollivudian i Marvel, “Moon Night”, ku interpretonte antagonistin negativ Marc Spector.
Ulliel ka një fëmijë 5-vjeçar nga e fejuara Gaelle Pietri. “Ai është rritur me kinemanë dhe kinemaja është rritur me të” e kujtoi sot kryeministri francez, Jean Castex.