Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, e ka mbështetur aksionin e fundit të Policisë së Kosovës në Veri të vendit, kundër kontrabandimit të mallrave, duke e cilësuar si “vendim të nevojshëm” nga ana e Qeverisë së Kosovës. Sipas saj, lufta kundër krimit të organizuar ka qenë gjithmonë kërkesë e Bashkimit Evropian.
“Është vendim sovran i autoriteteve të Kosovës dhe nuk mund ta kritikoj derisa të kem një pasqyrë më të gjerë. Është mirë që Qeveria e Kosovës e ka trajtuar këtë problem, sepse lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë gjithmonë një kërkesë e BE-së”.
Kështu ka thënë von Cramon në një intervistë për televizionin serb “N1”, duke shtuar se ngjarjet e tilla “nuk ndodhin vetëm në Veri të Kosovës”.
“Për të parandaluar këtë problem, nevojitet ndërhyrje. Veprimet e tilla nuk kanë ndodhur vetëm në veri, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës, dhe askush nuk ka pasur kundërshtime. Ka një problem me krimin e organizuar, korrupsionin dhe kontrabandën dhe i takon autoriteteve të Kosovës të vendosin se kur dhe ku të përdorin forcën policore”, shtoi ajo.
Ajo ka folur edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi, çështje kjo për të cilën shpreson se pas zgjedhjeve në Kosovë dhe në Serbi, në vitin e ardhshëm do të ketë përparim më të madh.
“Të dyja anët e kuptojnë se duhen kompromise nga të dyja palët, duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura. Shpresojmë në një marrëveshje reciproke që do të pranohej nga shumica e qytetarëve në të dy vendet”, ka thënë Cramon.