Biznesi i vëllait të presidentit Hashim Thaçi nuk do të mund t’i shfrytëzojë më pasuritë nëntokësore të vendit, së paku deri në një vendim të ardhshëm të institucioneve.
Rreth 500 metra larg Zyrës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pranë rrugës ‘UÇK’ të kryeqytetit ndodhen zyrat qendrore të një firme me kapital afër gjysmë-milioni euro.
Përveç afërsisë fizike, Presidenti Thaçi ka edhe afërsi familjare me firmën “Geo-Mineral”. Ajo udhëhiqet nga Agim dhe Idriz Thaçi. Menaxher i kompanisë figuron Sinan Thaçi, familjar i presidentit.
Me selinë qendrore në Prishtinë, sipas të dhënave që figurojnë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), “Geo-Mineral” bazën e saj e ka në Astrazub – një fshat në jug të Komunës së Malishevës.
Kompania, e cila është themeluar më 2007, merret me nxjerrje minerare. Me rreth 13 vjet operim në treg, “Geo-Mineral” ka arritur të krijojë kapital prej 412.000.00 eurove.
Aksionet e saj i ndajnë për gjysmë Agim dhe Idriz Thaçi, vëllai i presidentit Hashim Thaçi.
Ndonëse e afërt me pushtetin lokal deri në vitin 2013 kur Komuna e Malishevës udhëhiqej nga Partia Demokratike e Kosovës – kryetar i së cilës asokohe ishte Hashim Thaçi – më 6 janar të këtij viti, kjo komunë i ka dhënë një goditje të fortë financiare biznesit të familjes Thaçi.
Biznesi i vëllait të presidentit nuk do të mund t’i shfrytëzojë më pasuritë nëntokësore të vendit, së paku deri në një vendim të ardhshëm.
Kjo për shkak se të gjitha aktivitetet e “Geo-Mineral” u pezulluan me vendim të Kuvendit Komunal të Malishevës dhe prej 15 ditësh firma ka ndalur operimet në gurthyesin e saj në Astrazub.
“Kuvendi i Komunës së Malishevës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha vendimeve dhe pëlqimeve për operimin kompanive të gurthyesve në territorin e komunës së Malishevës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit Komunal të Malishevës, të datës 6 janar.
Ky vendim parasheh që në të ardhmen, “pëlqimet dhe vendimet në kërkesat e operatorëve për këtë veprimtari” t’i lëshojë Kuvendi i Komunës së Malishevës”.
Vendimi për pezullim është marrë pas shqyrtimit të peticioneve të fshatrave Bellanicë, Turjakë dhe Panorc, lidhur me përgatitjet për operim të gurthyesve në afërsi të shtëpive të banorëve.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Malishevës, Rrahim Morina, i ka thënë Gazetës Online Insajderi se ambienti në fshatrat ku operonin këto kompani – përfshirë “Geo-Mineral” – është i patolerueshëm.
“E kemi marrë edhe një vendim të mëhershëm – në formë të rekomandimeve, por kryetari nuk i ka zbatuar atë. Jemi kundër mënyrës se si këto kompani operojnë, asnjë kriter nuk zbatohet. Gjysma e shtëpive në Astrazub janë të plasaritura”, ka thënë ai.
Akuzat ndaj biznesit të familjes Thaçi
Pezullimi i të gjitha punimeve të “Geo-Mineral” në Astrazub erdhi si pasojë e një peticioni të nisur në drejtim të Komunës së Malishevës nga banorët e fshatit Astrazub.
Banorët e fshatit janë ankuar prej vitesh se nga punimet e kompanisë që merret me biznesin e thyerjes së gurit, u janë dëmtuar edhe shtëpitë.
Banori i fshatit Astrazup, Asllan Morina, deklaron se punimet e kompanisë në të cilën është pronar Idriz Thaçi, shkaktojnë dridhje të mëdha nga shpërthimet që vijnë si pasojë e minerimit.
“Kur minohet nga kompania, minohet jashtë kontrollit. Ka shumë shpërthime të mëdha, edhe dridhje aq të mëdha sa nga dridhjet plasaritet edhe shtëpia. Çdo mëngjes kur zgjohemi shihet pluhuri tek tavolinat e tek dritaret”, ka thënë Morina.
Por, dëmi e pasojat që shkakton gurthyesi “Geo Mineral”, sipas banorëve, kanë kaluar edhe në ujin e pijes.
Akuza ndaj biznesit të familjes Thaçi nuk kanë vetëm banorët e këtij fshati.
Në një bisedë me Gazetën Online Insajderi, kryetari i Kuvendit Komunal të Malishevës, Rrahim Morina, ka deklaruar se Agim Thaçi dhe njerëzit e afërt të tij u kishin thënë banorëve se ‘janë zot këtu [në Astrazub, v.j]’.
Sipas Morinës, kompanitë gurëthyese që operonin në komunë kishin shkelur çdo kriter.
“I kam shkuar këtij Agim Thaçit dhe vëllait të Hashim Thaçit, [ai] u ka thënë fshatarëve që ‘sot keni me e lëshu katundin – transportin e keni pa pare’, me atë synim që ju kot e keni sepse zot jam unë këtu dhe bëj çka të dua”, shprehet Morina për Insajderin.
Morina ka nënvizuar se Kuvendi Komunal i Malishevës do të insistojë në mbrojtjen e interesave të banorëve, kundër operimit pa kritere të gurëthyesve në këtë komunë.
“Ne, tash këto vendime shkojnë në MAPL për të vlerësuar ligjshmërinë e këtyre vendimeve dhe pastaj nëse ekzekutivi i Komunës mendon që në një formë të prolongojë ose të anashkalojë këtë vendim të Kuvendit, ne do të gjejmë edhe mënyra të tjera që t’i dalim në mbrojtje qytetarëve”, është shprehur kreu i Kuvendit të Malishevës.
KPMM mbron firmat që operojnë në Malishevë, përfshirë biznesin e Thaçëve
Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, një agjenci e pavarur që rregullon aktivitetet minerare, i ka dalë në mbrojtje biznesit të Thaçëve dhe katër firmave të tjera që kanë licenca të veçanta për të gërryer nëntokën e Malishevës.
Kjo agjenci ka paralajmëruar Komunën e Malishevës se pezullimi i punimeve të gurëthyesve mund të ketë efekt retroaktiv dhe negativ.
Në një përgjigje me shkrim për gazetën javën e kaluar, KPMM ka thënë se vendimi i Kuvendit Komunal do të ndikojë direkt tek investimet e bëra në këtë sektor.
“Mendoj se vendimi i Kuvendit Komunal te Malishevës lidhur me pezullimin e vendimeve dhe pëlqimeve Komunale lidhur me gurëthyesit, është bere pa ndonjë analizë paraprake”, thuhet në përgjigjen e KPMM-së. “Asnjë vendim i organeve shtetërore nuk duhet te ketë efekt retroaktiv ne veprimtarinë e ndërmarrjeve, sepse kjo do te ndikoj direkt ne investimet e bëra si dhe do te ndikoj ne pasiguri tek investitorët e ardhshëm”.
Ndryshe nga Komuna e Malishevës, KPMM-ja ka nënvizuar se nuk do të bëjë pezullimin e asnjë licence në territorin e Republikës së Kosovës “pa vlerësuar në detaje bazën Ligjore dhe pasojat e një veprimi të tillë”.
KPMM-ja i është adresuar me një shkrese Komunës se Malishevës për t’i tërhequr vërejtjen lidhur me pasojat e mundshme të një vendimi te tille. Po ashtu ka kërkuar një takim me Kryetarin e Komunës dhe Kryetarin e Kuvendit te Komunës se Malishevës.
Sipas kësaj agjencie, ekziston rreziku që komuna të paditet nga operatorët.
Bazuar ne Ligjin për Miniera dhe Minerale nëse institucionet pezullojnë ose heqin pëlqimet e tyre për lejimin e zhvillimit te aktiviteteve të ndërmarrjeve e të cilat janë kushte që një ndërmarrje të licencohet, sipas KPMM-së, atëherë kjo do të çoj ne procedurat e pezullimit dhe deri në anulimin e licencave nga ana e KPMM-së.
“Prandaj institucioni i cili tërheq pëlqimin apo vendimin lidhur me lejimin e veprimtarisë, e me të cilat ka rezultuar lëshimi i Licencave nga ana e KPMM-së, atëherë ai institucion do ti bartte të gjitha pasojat financiare lidhur me kompensimin e dëmeve material te investimeve të kryera”, paralajmëron KPMM-ja.
Tenderët që “Geo-Mineral” ka fituar nga prokurimi publik
Kompania “Geo Mineral” ka qarkullim milionësh nga shfrytëzimi i pasurisë nëntokësore dhe prokurimet publike.
Ndërmjet vitit 2009 dhe 2011 kompania e Idriz Thaçit, vëllait të presidentit Hashim Thaçi kishte fituar tri tenderë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Tenderin e parë që “Geo Mineral” e kishte fituar nga KEK-u ishte më 21 prill të vitit 2011 dhe kishte një vlerë prej 156 mijë eurove. Ndërkaq, tenderin e dytë e përfitojë më 24 prill të vitit 2009 dhe kishte vlerë prej 205 mijë eurosh.
Një tender tjetër në vlerë prej 1 milion e 298 mijë e 332 euro, kompania “Geo Mineral” e kishte fituar më 7 dhjetor të vitit 2009.
Tenderi kishte të bënte me ndërtimin e linjës së re të gypit për furnizim me ujë të rëndomtë për Termocentralin “Kosova B” nga kanali Ibër-Lepenc.
Të tre tenderët që kjo kompani fitoi nga KEK-u arritën vlerën e mbi 1 milion e gjysmë eurove.
E në kohën kur “Geo Mineral” fitoi tri tenderë nga KEK-u, zyrtar i prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ishte Nijazi Thaçi, kushëri i Idriz Thaçit dhe Hashim Thaçit, i cili në vitin 2018 është emëruar drejtor ekzekutiv i KEK-ut.
Gazeta ka tentuar të kontaktojë me Idriz Thaçin, i cili figuron si person kontaktues i “Geo-Mineral” në ARBK, por lidhja telefonike me të përmes ka qenë e pamundur.