Ish-polici Haris Kelmendi së shpejti do të përballet edhe me një akuzë tjetër për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Kelmendi po akuzohet se në qershor të vitit 2020, në Stacionin Policor “Qendra” në Prishtinë, kishte ushtruar dhunë ndaj të dëmtuarit M.M., duke i shkaktuar lëndime trupore me gjakderdhje.
Prokuroria pretendon se rasti kishte ndodhur pasi që njëri nga personat nga vetura e tipit “Golf”, ia kishte drejtuar armën të dashurës së Kelmendit dhe ia kishte kërkuar rrjetin social “Snap” të njëjtës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 4 mars 2021, ka ngritur aktakuzë kundër Haris Kelmendit, të cilin e akuzon për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Sipas aktit akuzues, më 4 qershor 2020 në zyrat e Stacionit Policor në Prishtinë, i pandehuri Kelmendi i cili ishte jashtë detyrës zyrtare kishte keqpërdorur autorizimet e tij, ashtu që derisa i njëjti kishte qenë me të dashurën e tij S. dhe një shoqe të saj në rrugën Enver Zymberi, për një moment sa i kishte lënë vetëm ato, në ato qaste një veturë e tipit “Golf” ishte afruar pranë të dashurës së tij dhe e njëjta veturë posa e kishte vërejtur të pandehurin ishte larguar.
Tutje, aktakuza thotë se i pandehuri Kelmendi në bisedë më të dashurën e tij, kishte kuptuar se njëri nga personat në veturë ia kishte drejtuar armën të dashurës së tij dhe i kishte thënë “ma jep snap chat-in”.
Pas kësaj, i pandehuri kishte reaguar duke u njoftuar policinë në linjën emergjente dhe një patrullë e policisë kishte arritur ta ndalte veturën në fjalë, ku i pandehuri gjatë asistimit të njësisë patrulluese e kishte gjetur armën, e që më pas i pandehuri Kelmendi së bashku me të dashurën e tij dhe shoqen e saj kishin shkuar në Stacionin Qendra për procedurë të mëtutjeshme.
Aktakuza thotë se aty i pandehuri në hapësirat e policisë, pikërisht në dhomën e brifingut ku ishte duke qëndruar i dëmtuari M.M., i pandehuri kishte ushtruar dhunë ndaj tij duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit e duke i shkaktuat lëndime trupore me gjakderdhje.
Me këtë i pandehuri Kelmendi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim deri në tre (3) vjet.
Për të njëjtën vepër Kelmendi po ashtu akuzohet së më 26 qershor 2018, në Stacionin Policor Qendra, në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar (zyrtar policor), derisa ishte duke e trajtuar të dëmtuarin L.R lidhur me një rast si i dyshuar, gjatë procedimit të rastit i akuzuari me dashje e ka keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij.
Për këto akuza, ai së bashku me të akuzuarin tjetër në këtë rast Agon Hysenin ishin deklaruar të fajshëm.
Ndërsa, për këtë rast pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit, Gjykata Themelore në Prishtinë përsëri ka marrë vendim me të cilin ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-policit Haris Kelmendi dhe policit Agon Hyseni.
Ata po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike. Kurse, Kelmendi po akuzohet edhe për veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Aktualisht ky rast sipas procedurës ankimore për herë të dytë gjendet në Gjykatën e Apelit.