Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë sot se partia e tij nuk i ka borxh asnjë “tajkuni e as ambasade”, në një fjalim në tubimin përmbyllës të fushatës së Vetëvendosjes në Prishtinë.
Para mijëra qytetarëve në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, Kurti u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje është e të gjithë qytetarëve.
“Pas mijëra kilometrave, qindra takimeve, e dhjetëra tubimeve po përfundon në Prishtinë fushata jonë. Ka shumë flamuj në këtë tubim madhështor, sepse lëvizja nuk është vetëm e jona. Është e të gjithëve, është bërë një lum pa brigje. Ne se kontrollojmë dot rritjen e saj, por ajo e kontrollon edhe veten edhe neve”, ka thënë Kurti.
“Aktivistët e VV-së janë gurët mbi të cilët do të ndërtohet kalaja e Lëvizjes Vetëvendosje, sepse kanë punuar për ideal e jo për para.”
Ai ka falënderuar aktivistët për përkushtimin e tyre, e kandidatët për punën që ka thënë se do të çojë në fitore të sigurt.
“Nuk jemi vetë sepse jemi bashkë, dhe nuk jemi për vete sepse jemi për juve. Për të gjithë të gjitha, për të ne asgjë. Për fitoren tonë ne nuk do t’i kemi borxh asnjë tajkuni e ambasade. Do t’ju kemi borxh vetëm juve, e do t’ju shërbim pa pushim. Nuk jemi mbledhur këtu as për t’ju premtuar as për t’ju gënjyer”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se si qeveri e re, do të gjejnë Kosovën në një gjendje shumë të rëndë.
“Qytetarët e kanë humbur shpresën në shtet sepse nuk kanë pasur qeverisje të mirë. Çdo i gjashti i qytetar është i varfër, dhe varet nga skema pensionale që u thotë se duhet të jetoni me 80 centë në ditë. Minatorët që flejë mbi arë nuk kanë as jorgan për t’u mbuluar. Bujqit nuk mund ta punojnë tokën sepse kur shkojnë të blejnë naftë traktori i tyre u konsiderohet sikur të ishte Mercedes”, ka thënë Kurti.