Ramiz Lladrovci në një intervistë për Gazetën Online “Reporteri.net”, ka dhënë detaje për bisedën telefonike që zhvilloi ditë më parë me Hashim Thaçin nga Haga.
Lladrovci ka treguar se para se ta mbyllë bisedën me Thaçin, ky i fundit i ka thënë se po dëshiron ta përshëndes edhe dikush tjetër, e që ka menduar se është Kadri Veseli, por se doli të jetë Rexhep Selimi.
“Biseda ishte e rastit, ishte thirrje nga z. Thaçi. Ishte e papritur, prandaj e kam quajtur edhe ndër bisedat më emocionale në jetë. Ishte hera e parë që kam biseduar me të prej se ndodhet në Hagë, ndërsa pas përshëndetjeve, pyetjeve për shëndetin e të gjithëve atje, vazhdova si bisedë që bëhet me shokun, ndërsa ai më pyeti rreth situatës këtu, të cilën e përcolli me mesazhin, “je i pathyeshëm, veç vazhdo”, shpreha falënderim me dëshirat për ta pritur sa më parë në Kosovë. Pastaj, më tha “Ramiz, qe edhe dikush do me të përshëndet në telefon”. Së pari mendova se po bisedoj me mikun tim, Kadri Veseli, iu drejtova “alo Kryetar”, Rexha me të qeshura ma priti, “ma kadale, Rexha jam, Rexha o Ramiz”, i kërkova falje, e përshëndeta dhe urova të ketë shëndet. Tema ishte e njëjtë, urimi që lirimi i tij dhe shokëve tjerë të bëhet sa më parë”, ka treguar Lladrovci për Reporteri.
Lexo edhe: Vdes një shtetas gjerman në QKUK, nisin hetimet
Ai ka shtuar tutje se si Thaçi ashtu edhe Selimi ishin të papërkulur, shumë krenar dhe plot energji.
“Po ashtu ju thash se besojmë të gjithë në pafajësinë e tyre, ata i duhen jo vetëm familjeve por edhe Kosovës dhe kombit, dhe i presim të kthehen faqebardhë. Besoj fort se kjo padrejtësi ndaj tyre do të ndërpritet së shpejti”, ka treguar Lladrovci.