Politikania serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq e ka quajtur histeri të plotë gjithë reagimin e numrit një në Beograd, Aleksandar Vuciq pas emërimit të Nenad Rashiqit, ministër në qeverinë e Republikës së Kosovës.
“I urdhëron 28 ministra të qeverisë së Serbisë ashtu siç do, e për një ministër në qeverinë e Kosovës, të cilin nuk mundi ta zgjedhë vetë, e të cilin as nuk e kontrollon krijon histeri të plotë”, ka shkruar ajo në Twiter.
Rashiq, kryetar i Partisë Progresive Demokratike në Kosovë, u emërua ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Albin Kurtit, pas dorëheqjes që dha nga kjo pozitë Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, nismë kjo politike e mbështetur fuqishëm nga Aleksandar Vuçiq dhe pushteti në Beograd.
Ky i fundit u trazua nga vendimi i Kurtit dhe bëri akuza të rrepta në drejtim të tij, ndërsa e ofendoi Rashiq duke e quajtur më te keqin e serbëve të Kosovës. Për më tepër, për shkak të kwtij vendimi, Vuçiq anuloi edhe pjesëmarrjen e tij në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që është paraparë të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë.
Pak momente pas emërimit në këtë pozitë, Rashiq tha se politkania tjetër e Kosovës, që nuk është me Srpska-n, Rada Trajkoviq, do të jetë këshilltare e tij.
Në një intervistë për Danas, kjo tha se pranoi ofertën për shkak se mendon që ka nevojë për barazi të plotë në mënyrën se si trajtohen serbët, në gjithë Kosovën.