Ne të poshtënënshkruarit, aktivistë të komunitetit shqiptaro-amerikan, me përvoja disadekadëshe në forcimin e bashkëpunimit dhe të përkrahjes së ShBA-së për Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan, nëpërmjet kësaj letre rishprehim besimin se lidhja mes ShBA-së dhe shqiptarëve mbetet miqësore, e dëshmuar dhe e vendosur që të bëhet edhe më e qëndrueshme.
Mbështetja e Amerikës për shqiptarët nuk ka munguar që prej pavarësisë së Shqipërisë, ka vijuar me pavarësinë e Kosovës, dhe vazhdon ende për të gjithë shqiptarët në Ballkan. Kjo lidhje përtejshekullore do të fuqizohet dhe do të zgjerohet sot dhe në të ardhmen.
Çlirimi i Kosovës nga Serbia më 1999 ishte përpjekje e vështirë dhe heroike shqiptare, në të cilën Amerika me Perëndimin luajtën rol kyç. Dy dekada pas çlirimit, Amerika është e vendosur që të përkrahë finalizimin e shtetësisë së Kosovës me marrëveshjen e njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi me Amerikën dhe Kosovën, dhe besojmë se ky rast paraqet një moment historik per të arritur një zgjidhje përfundimtare, të bazuar në drejtësi dhe stabilitet.
Mbyllja e procesit të paqes mes Kosovës dhe Serbisë kërkon angazhim, guxim dhe unitet mes udhëheqësisë dhe popullit të Kosovës. Liderët e Kosovës duhet të bashkëpunojnë me besim në njëri-tjetrin dhe Amerikën. Ne jemi të bindur që, në koherencë me mbështetjen bipartizane nga të gjitha qeveritë e mëparme amerikane, edhe Qeveria e Presidentit Trump është e përkushtuar për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan dhe forcimin e shtetësisë dhe të sovranitetit të Kosovës.
Ne dhe i gjithë komuniteti shqiptar në ShBA, si gjithmonë, jemi të gatshëm për të qenë aktivë në kërkesat tona që shteti amerikan, me gjithë fuqinë dhe peshën e vet, t’i mbrojë edhe më tutje interesat vitalë të Kosovës, të cilët gjithsesi janë edhe interesa vitalë të vetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Prandaj apelojmë tek instituticionet dhe populli i Republikës së Kosovës që të veprojmë hapur dhe bashkërisht me Amerikën, siç bëjnë miqtë dhe aleatët e vërtetë.
Ilir Bytyqi (Familja Bytyqi), New York
Bleron Baraliu, New York
Donika Bardha, Michigan
Ekrem Bardha, Michigan
Elmi Berisha, New York
Musa Dakaj, New York
Drilon S. Gashi, Washington DC
Shaqir Gashi, New Jersey
Gjovalin Gegaj, Michigan
Vedat Gashi, New York
Zenun Halili, Texas
Lumi Hadri, New York
Eglantina Kica, Rhode Island
Drin Kryeziu, North Carolina
Richard Lukaj, Connecticut
Uk Lushi, New York
Nick Markola, New York
Bruno Selimaj, New York
Shpresa Xhakli, New Jersey
Rexhë Xhakli, New Jersey