Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka publikuar një tjetër video ku temë ka sektorin e energjisë.
Në këtë video VV ka numëruar disa prej sukseseve të saj në sektorin e energjisë, ndërsa akuzon qeveritë e mëhershme se i kanë lënë në terr qytetarët e Kosovës.
Në këtë video nuk janë përfshirë reduktimet e mëdha që iu kthen Kosovës në fund të kësaj vere për shkak të mungesës me energji elektrike. Për disa javë vendi u përball me reduktime të rrepta të rrymës. Në shumicën e zonave, sipas KEDS-it reduktimet ishin 6 me dy.
Në videon e re të VV, në përshkrim thuhet se “Ata që e lanë sektorin e energjisë në terr është mirë që përveç energjisë të na kursejnë edhe prej zhurmës. Qeverisja e re ani pse e ka gjetur vendin ashtu siç e kanë lënë në gjendje të mjerueshme, do të jetë në ballë të detyrës për t’ju përgjigjur secilës krizë me të cilën nuk po përballemi vetëm ne por e gjithë Evropa”.
Për gjendjen e rënduar të furnizimit me energji elektrike si dhe shtrenjtimin e faturave në kohën e qeverisë Kurti, VV ka shpjeguar krizën energjetike në Evropë, duke e arsyetuar edhe gjendjen e vështirë në Kosovë.