Deputeti nga lista Guxo, Haxhi Avdyli, i ka dalë në mbrojtje kryediplomates së Kosovës Donika Gërvalla, për fjalimin e saj të fundit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Avdyli ka publikuar dy fotografi në Facebook, duke thënë se derisa ministrja Gërvalla, akuzoi për krime lufte Ivica Daçiqin, në të kaluarën ish-zëvendësministri Petrit Selimi kishte fotografuar edhe beben e tij me “Sllobën e vogël”, përcjell Bota sot.
“Kur bie fjala, për përfaqësimin në politikën e jashtme, më shumë se 1000 fjalë flasin këto dy foto.
Në përvjetorin e masakrës së Mejes, ministrja Donika Gërvalla, në seli të OKB-së e bën përgjegjës për krime Sllobën e vogël. Por ky vend i vuajtur ka pasë zv Ministra që në të kaluarën e afërt kanë fotografuar edhe bebet e tyre me kriminel lufte si Daçiqi.
Shumë mirë jemi, ku na kishin katandisur disa…”, ka shkruar deputeti Avdyli në llogarinë e tij në Facebook.
Gërvalla ishte dje pjesë e seancës në Këshill të Sigurimit të OKB-së, ku u fol për Kosovën. Përballjen kryesore, Gërvalla e pati me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, që ajo i tha se është një “Sllobodan i vogël”.
Gërvalla iu drejtua Daçiqit me keqardhje, pasi tha se për të është e vështirë ta pranojë se e kanë humbur Kosovën në 99-ën, ndaj edhe përdor një retorikë nënçmuese ndaj Kosovës.
“Sapo treguat sot pse njerëzit në Serbi, në vitet e 90-ta ju kanë quajtur “Slloba i Vogël”. Pra, një Slobodan i vogël, një Millosheviq i vogël, shkaku i ‘bossit’ tuaj. E kuptoj se jeni i zemëruar, dhe e njoh këtë gjuhë që moti, sepse nuk jam në politikën evropiane qe dy a tre vite. Por, ju e keni të vështirë t’ua shpjegoni qytetarëve tuaj se e keni humbur Kosovën në 99-ën, ndaj mbani retorikë të tillë. Unë mendoj që populli i Serbisë nuk meriton diçka të tillë. E vërteta dhemb, e dimë”, tha Gërvalla.