Balaj: Telekomi është 72 milionë euro borxh, një kabull që kushton 12 cent u ble për 44 euro

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, në emisionin DPT te Fidani në T7, ka thënë se aktualisht Telekomi i Kosovës është 72 milionë euro në borxh.

Ai tha se një kohë Telekomi vlerësohej 1 miliard e 200 milionë euro, ndërsa sot ka borxh.

“Njëhere një kohë Telekomi i Kosovës vlerësohej 1 miliard e 200 milionë euro, ndërsa sot është në borxh 72 milionë euro”, është shprehur Balaj.

Tutje, Balaj tha se kontrata e Telekomit me Z-Mobile ka hapur rrugë kontratave tjera të dëmshme.

“Kontrata me Z-Mobile i ka hapur rrugë kontratave tjera të dëmshme. Ajo kontratë është fillimi i kontratave të dëmshme”, ka thënë Balaj.

Ai gjithashtu tregoi për skandale të ndryshme që kanë ndodhur në Telekom.

“E di që ka ndodhur një kontratë ku një metër kabull optike është dërguar tek një operator dhe është paguar 44 euro e 77 cent për metër. Ndërsa me shumicë kushton diku rreth 12-13 cent”, shtoi Balaj.