Sekretari i Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar Grant Shapps, zbuloi se një batalion me rreth 200 ushtarë do të dërgohen në Kosovë, pas sulmit terrorist që ndodhi në veri të Republikës së Kosovës.
Sekretari Shapps tha se kërkesa për dërgimin e trupave paqeruajtëse u bë nga Komandnti Suprem i NATO-s.
“Ka pasur një kërkesë nga Komandanti Suprem i Aleatëve të NATO-s në Evropë, kështu që unë kam autorizuar vendosjen e një force rezervë strategjike të Mbretërisë së Bashkuar me madhësi batalioni në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë,” u tha Shapps aktivistëve të partisë së tij, raporton gazeta britanike “Mirror”, transmeton Express.
Ai tha se batalioni prej rreth 200 ushtarëve do t’i bashkohet 400 ushtarëve burra e gra britanikë që tashmë ndodhen në Kosovë.
“Në ditët në vijim, qindra ushtarë nga Batalioni i Parë Regjimenti Mbretëror Princesha e Uellsit do t’i bashkohen 400 ushtarëvë burra e gra britanike që tashmë janë në Kosovë. E di që ushtarët tanë do ta bëjnë Mbretërinë e Bashkuar krenare”, u shpreh ai.
Sekretari britanik i Mbrojtjes ka vlerësuar se ushtarët do të ndihmojnë të qetësohen raportet e tensionuara duke ofruar siguri për të gjithë.
Shapps tha: “Dislokimi i shpejtë i trupave në Kosovë është një demonstrim i fuqishëm i aftësive dhe ekspertizës së pashembullt të forcave tona të armatosura. Ato do t’i shtojnë vlerë të jashtëzakonshme misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, duke ndihmuar në qetësimin e tensioneve në rritje në rajon dhe duke i mbajtur të gjithë popujt të sigurt”.