Dy pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Bërnjaku dhe Merdarja, janë mbyllur mbrëmë për qarkullim. Ndërkohë, pika kufitare në Jarinje vazhdon të jetë e bllokuar për qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës.
Fillimisht u mbyllë pikëkalimi në Bërnjak. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se grupe ekstremistësh të maskuar në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.
Ai bëri me dije se një familje kosovare që po udhëtonte për në Gjermani është kthyer prapa me forcë.
“Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne. Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”, shkroi Sveçla
Pas mesnatës, ai njoftoi se është mbyllur edhe pika kufitare në Merdare.
“Pas veprimeve të njëjta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë transit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë, mbyllet edhe pika kufitare në Merdare. Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës”, shkroi Sveçla.