Nafta po qëndron në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, pas fitimeve të realizuara në tregtinë aziatike. Çmimet vijojnë të mbështeten nga vendimi i OPEC+ për të ulur prodhimin me 2 milionë fuçi naftë në ditë, për të parandaluar një kolaps të çmimeve, në një kohë që kërkesa po ngadalësohet ndjeshëm.
Reduktimi i kuotave të prodhimit ishtë më i madhi që nga viti 2020, kur bota u izolua nga pandemia, dhe vjen në një kohë që Bashkimi Europian pritet të vendosë një embargo të plotë ndaj naftës ruse duke filluar nga dhjetori.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 94 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 88 dollarë për fuçi. Të dy bençmarkët po tregtohet në nivelin më të lartë që nga 14 shtatori.
Presidenti amerikan, Joe Biden, shprehu zhgënjimin e tij mbi planin e OPEC+ për të ulur prodhimin dhe shtoi se SHBA po shikon të gjitha mundësitë për t’i ulur çmimet. Një nga mundësitë më të shpejta mund të jetë hedhja në treg e rezervave strategjike apo kompanitë amerikane të prodhojnë më shumë.
Duke kritikuar Arabinë Saudite në grup dhe Rusinë në luftë me Ukrainën, Biden tha: “Unë mund ta ul çmimin e benzinës nën 1.60 dollarë për gallon, por çmimet e benzinës po rriten për shkak të asaj që po bëjnë rusët dhe sauditët. Kjo nuk ka mbaruar”, tha Biden.
Ndërkohë, banka Goldman Sachs ka rritur parashikimin për çmimet gjatë këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm, në 104 dhe 110 dollarë për fuçi respektivisht.