Çfarë fitojnë shqiptarët nga resortet në Sazan? Rama: Projekt që s’imagjinohej më parë, negociojmë pjesëmarrjen e shtetit në investim

Kryeministri Edi Rama, i pyetur nga gazetarët se ca fitojnë shqiptarët nga projekti i dhëndrit të Donald Trump për resorte në Sazan, tha se një projekt i tillë as nuk imagjinohej vite më parë. Kreu i qeverisë tha se ky projekt pasuron shqiptarët e rrit ekonominë e vendit.

Rama tha se projekti është ende në fazë shqyrtimi dhe do të negociohet pjesëmarrja e shtetit në atë investim.

“Po fitojnë në këtë proces dhe do fitojnë çka nuk imagjinohej vite më parë. Nxitja e këtyre zhvillimeve pasuron shqiptarët, pasurin Shqipërinë, rrit ekonominë, sepse turizmi është një industri që stimulon zinxhirin e prodhimit se të huajt që vizitojnë Shqipërinë konsumojnë këtu, konsumojnë ca prodhojnë bujqit dhe fermerët, konsumojnë ca iu ofrojnë të gjithë ata që janë në shërbim, konsumojnë ato që zinxhiri i shërbimeve krijon. Shqipëria sot për fatin e mirë të të gjithëve dhe për fatin e keq të mendjeve të sëmura, është komplet në nivel tjetër. Deri para disa vitesh ky projekt do ishte i paimagjinueshëm. Diskutojmë për eksperiencën e turizmit botëror që kërkon të hyjë në Shqipëri. Flasim për një Shqipëri që behet konkurruese me luanët e Mesdheut, Greqia Kroacia. Flasim për një aplikim që do shqyrtojmë sipas ligjit, do negociojmë pjesëmarrjen shtetit në atë investim”, tha Rama.