POLITIKE

Clark: Ata që sulmuan Policinë e Kosovës ishin terroristë – armatimi i gjetur, i koordinuar me forcat speciale serbe

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Gjenerali Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, thotë se incidenti në veri të Kosovës përbën një problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan.

Clark tha se NATO-ja duhet të forcojë aftësitë e saj për qenë më efikase kudo në Kosovë, ndërsa u shpreh se armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe.

“Para së gjithash, është një tragjedi për të gjitha palët dhe është një problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan. Duhet të përbëjë shqetësim për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, ndërsa dalin në pah detajet e incidentit. Ajo që është më shqetësuese për mua është se pas incidentit, rezultoi se kishte një grumbullim të madh armësh në manastirin serb. Kjo ka ndodhur edhe më parë.
Ne e dimë nga përvoja e mëparshme në Ballkan në vitet 1990, dhe që atëherë se manastiret serbe kanë qenë strehë e nacionalizmit serb. Dhe kjo nuk e përjashton përdorimin e tyre si arsenale. Ndaj kjo është gjëja më shqetësuese.

Shpresoj që KFOR të insistojë që këto manastire të inspektohen dhe arsenalet të konfiskohen, sepse nuk ka vend për këtë në mes të përpjekjeve për të arritur marrëveshjen e autonomisë për qytetarët serbë të Kosovës. Është kundërproduktive dhe nuk ka vend për kërcënime me dhunë dhe armë”, shprehet ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Clark thotë se armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe.

“Armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe. Ne i kemi parë këto lloj veprimesh edhe më parë, sepse më kujtohet se gjatë fushatë ose në fillim të fushatës ajrore të vitit 1999 në Kosovë, një grup ushtarësh serbë në rroba civile rrëmbyen tre ushtarë amerikanë të cilët ishin pjesë e patrullës në atë që sot njihet si Maqedonia e Veriut.

Ata nuk kishin uniforma ushtarake, por kaluan kufirin dhe rrëmbyen tre ushtarë amerikanë nga makina e patrullës, i rrahën dhe i dërguan në Beograd. Pra, mbetet për t’u parë se kush ishin sulmuesit në pjesën veriore të Kosovës dhe lidhet me forcat speciale dhe qeverinë serbe”, shprehet ai.

Clark thotë se KFOR duhet të veprojë me forcë kundër dhunës në Kosovë, kudo qoftë apo ndaj palëve që ushtrojnë dhunë. Kjo, shprehet ai, është arsyeja pse KFOR ndodhet atje.

“Por do të vëreja gjithashtu se këto veprime në Kosovë nuk janë të palidhura me dhunën në Ukrainë. Për Rusinë, nxitja e trazirave në Kosovë, duke përdorur Serbinë si agjent të saj do të ishte ekuivalenti i një sulmi të thellë të luftës hibride. Rusia do të dëshironte të shihte paqëndrueshmëri më të madhe në Ballkan, një shpërqendrim për NATO-n, me preteksin se demokracia nuk funksionon.

Gërryerja e pavarësisë së Kosovës do të ishte në interes të Moskës. E gjitha është pjesë e një axhende që po ndiqet nga të paktën disa elementë në Beograd”, u shpreh ai.

Clark ka folur edhe për nderimin që iu bë sulmuesve të vrarë në Serbi dhe shpalljen e ditës së zisë atje. Ish-gjenerali amerikan thotë se ata që morën pjesë në sulm duhet të ndëshkohen dhe të mos njihen si heronj.

“E kuptoj kur bëhet fjalë për anëtarët e familjes. Por si çështje e politikës shtetërore, jo, këta njerëz janë të jashtëligjshëm. Ata shkelën sundimin e ligjit në Kosovë. Dhe ata që morën pjesë duhet të ndëshkohen dhe të mos njihen si heronj. Por unë e di se në Serbi dhe në këtë rajon, trashëgimitë e konfliktit që datojnë më shumë se një shekull janë përplasjet etnike, përplasjet fetare, Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore e deri në epokën e Titos, përpjekja për të shtypur nacionalizmin shqiptar dhe ardhja e Milosheviçit në pushtet, gjithçka është shoqëruar me dhunë, me urrejtje, me tensione ndëretnike. Dhe është koha për ta ndaluar atë dhe për të ecur përpara në shekullin e 21-të. Është një tragjedi e vërtetë. Më vjen shumë keq për familjen e këtyre njerëzve të vrarë nga të dyja anët. Dhe polici shqiptar që u vra, polici i Kosovës po bënte detyrën.

Ai po mbështeste sundimin e ligjit. Serbët (që ndërmorën sulmin) ishin rebelë, terroristë. Dhe ata nuk meritojnë asnjë njohje zyrtare. Por, sigurisht, është një tragjedi për ta dhe familjet e tyre. Dhe na vjen keq për të gjitha humbjet e jetëve në zonë”, u shpreh Clark.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • KRYESORE

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe AAK 7.10%

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe…

7 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Afro 20 për qind të votave të numëruara, prin VV’ja

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë në rezultatet preliminare të procesuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…

10 orë ago
  • KRYESORE

Zgjedhjet në Kosovë – Exit Polli i Albanian Post në T7: VV’ja 43%, PDK 22, LDK 18 dhe AAK 7

Sot në Kosova janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Lidhur me këtë,  është publikuar Exit…

11 orë ago
  • KRYESORE

Narrativa të fabrikuara: Si u deformuan protestat për Zvërnecin

Pamje të nxjerra jashtë kontekstit, imazhe të krijuara me Inteligjencë Artificiale dhe narrativa gjeopolitike u…

18 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Rama ironizon protestuesit në Zvërnec: Mos ua prishni flamingove plazhin me makina dhe kanoçe birre

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me ironi në rrjetet sociale pas protestës e cila u…

21 orë ago
  • POLITIKE

Pas Greqisë, tani edhe Turqia kundër Shqipërisë

Sipas gazetarit dhe analistit turk İbrahim Karagül, zhvillimet e fundit rreth Ishullit të Sazanit nuk…

1 ditë ago