Propozimi përfundimtar për rezolutën mbi gjenocidin në Srebrenicë ka mbërritur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Këtë e konfirmoi vetë ambasadori i Bosnje e Hercegovinës në OKB, Zlatko Lagumxhija, duke bërë me dije se kjo vjen pas disa raundesh konsultimesh gjithëpërfshirëse.
Në dokumentin që ka nervozuar serbët, kërkohet që 11 korriku të shpallet si dita ndërkombëtare e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995.
“Ne dënojmë pa rezerva çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si një fakt historik dhe u bëjmë thirrje shteteve anëtare të ruajnë faktet e vërtetuara, përfshirë përmes sistemit arsimor, duke zhvilluar programe të përshtatshme, si shenjë kujtimi, në mënyrë që të parandalohet mohimi dhe shtrembërimi i fakteve, dhe kryerja e gjenocidit në të ardhmen”, pjesë nga projektrezoluta e dorëzuar në OKB.
Rezoluta më tëj “dënon veprimet që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, duke përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë”.
Gjithashtu thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe bën thirrje për vazhdimin e ndjekjes penale të atyre autorëve të gjenocidit në Srebrenicë që ende nuk janë përballur me drejtësinë.
Republika Srpska ka dërguar një raport në OKB duke kërcënuar me qëndrimin se “miratimi i rezolutës për Srebrenicën do të shkaktonte konflikte të brendshme” në Bosnje e Hercegovinë. Lideri separatist, Milorad Dodik, i sanksionuar nga SHBA dhe shumë i afërt me Rusinë, ka kërcënuar shpesh se do të ndajë Republika Srpska nga Bosnja në rast të miratimit të rezolutës.