Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe e atyre boshnjake, masë të cilën e kishte vendosur sa ishte kryeministër.
Ai përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se heqja e taksës 100% për Vuçiqin e Serbisë e Dodikun e Republikës serbe të Bosnjës, është nënshkrim i dhënë për të lejuar ripushtimin ekonomik e tregtar serb në Kosovë.
Postimi i tij:
Heqja e taksës 100% për Vuçiqin e Serbisë e Dodikun e Republikës serbe të Bosnjës, është nënshkrim i dhënë për të lejuar ripushtimin ekonomik e tregtar serb në Kosovë.Vendimi i Qeverisë i datës 21 nëntor 2018 vendosë taksën 100% në pikën 1, dhe poashtu vendosë masat e reciprocitetit ndaj Serbisë në pikat 3, 4, 5, dhe 6 – të cilat sonte Kurti po mundohet t’ia shet popullit si “shpikje politike” e tij. Në fakt, vendimi i sontëm i Qeverisë në largim është heqje e taksës 100% dhe mbajtje e masave të reciprocitetit që i vendosëm ne dikur, por assesi nuk është reciprociteti i plotë politik, ekonomik e tregtar që e premtoi Kurti dhe e votoi dikur Kuvendi me rezolutë!
Me këtë mashtrim, Kurti ia humbi përfundimisht Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksën 100%, i cili ishte dizajnuar të përdoret në këmbim të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë.Harresa e tij kombëtare dhe shkurtpamësia e tij shtetërore ia përcaktoi edhe jetëgjatësinë e tij politike. Do ta mbajmë në mend përherë si kryeministër që ia çeli derën Serbisë së udhëhequr nga ish-ministri i Millosheviqit, pa nder, dhe pa kundërvlerë.