Gjashtë deputetë të Parlamentit të Zvicrës kanë dënuar përpjekjet për rrëzimin e qeverisë së Kosovës dhe sidomos synimin e presidentit Hashim Thaçi për t’ia marrë kompetencat kabinetit të kryeministrit Albin Kurti.
Përmes një njoftimi, ata në të njëjtën kohë i kanë bërë apel edhe shefit të LDK-së, Isa Mustafës. Këta deputetë të disa partive të Zvicrës kanë shprehur shqetësimin mbi zhvillimet e fundit në Kosovë.
“Botën e ka përfshirë koronavirusi. Edhe në Republikën e Kosovës gjendja është serioze. Si në vende të tjera edhe në Kosovë qeveria ka ndërmarrë masa drastike për të kufizuar me vendosmëri përhapjen e virusit. Por ne po e përcjellim me shqetësim të madh se si qarqe të caktuara politike po përpiqen që krizën ta shfrytëzojnë në dobi të tyre. Sidomos e kemi fjalën për presidentin Hashim Thaçi dhe për kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, partia e të cilit është pjesë e qeverisë. Ne e hedhim poshtë me vendosmëri përpjekjen e kryetarit Hashim Thaçi që, duke marrë si shkas koronavirusin, të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe kështu t’ia marrë kompetencat qeverisë së koalicionit nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti. Një kërkesë e tillë nuk ka asnjë bazë dhe do ta shkatërronte pjekurinë e sapoarritur demokratike të Kosovës”, shkruan në deklaratën e përbashkët të këtyre deputetëve.
Ata i kanë bërë apel në të njëjtën kohë edhe LDK-së, e cila është partnere koalicioni në qeverinë e kryeministrit Kurti.
“Në këto kohëra të tensionuara ne paralajmërojmë urgjentisht që të hiqet dorë nga këto lojëra politike. Rrëzimi i qeverisë së popullarizuar do ta fuste Kosovën në një situatë të pakëndshme politike në valën e koronavirusit”, është thirrja e tyre.Këta deputetë i kanë bërë thirrje të gjithë akterëve politikë që të japin kontributin e tyre në shtendosjen e situatës.
“Qeveria e re sapo ka marrë detyrën dhe deri më tani nuk ka dhënë ndonjë arsye për mosbesim. Përkundrazi, kjo qeveri gëzon respekt të madh në arenën ndërkombëtare. Nëse qeveria Kurti do të rrëzohej me pretekste bajate apo do t’i merreshin kompetenca me urdhëresa të gjendjes së jashtëzakonshme, atëherë vendet si Zvicra do të rishqyrtonin thellësisht vlerësimin dhe rrjedhimisht edhe marrëdhëniet me Republikën e Kosovës”, kanë paralajmëruar ata.
Deklarata është nënshkruar nga Tiana Angelina Moser, deputete nga Partia e Gjelbër Liberale (GLP) dhe kryetare e Komisionit të politikës së Jashtme, Doris Fiala, deputete nga Partia Liberale (FDP) dhe bashkëkryesuese e Grupit Parlamentar Zvicër-Kosovë, Cédric Wermuth, deputet i Partisë Socialdemokrate (SP) dhe bashkëkryesues i Grupit Parlamentar Zvicër-Kosovë, Fabian Molina, deputet nga Partia Socialdemokrate (SP), Sibel Arslan, deputete nga Partia e Gjelbër (GPS) dhe anëtare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës si dhe Niklaus-Samuel Gugger, deputet nga radhët e Partisë Popullore Evangjeliste (EVP) dhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.