Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka reaguar ndaj gjestit të avokatit Tomë Gashi, i cili kishte shkelmuar mbrëmë paratë e mbledhura nga një lypsar.
Nagavci në reagimin e saj ka theksuar se as nuk është njerëzore e as e drejtë të sillet dikush ndaj një të varfëri
Reagimi i plotë:
Nuk është njerëzore e as e drejtë të sillesh me përçmim dhe të ngacmosh më të varfërit dhe më të dobtit.Çdo kush duhet ta dijë, e sidomos ata që merren me drejtësi, se respektimi i plotë i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është i garantuar për secilin dhe duhet të respektohet nga secili.
Zhurma e lypsarit s’do të duhej të heshtet, ajo është zhurmë që bënë thirrje për reflektim përtej saj. Republika e Kosovës ka organet, institucionet e entet që do të duhej të merreshin me secili rast dhe atë në mënyrë shumë të ndjeshme dhe asesi një qytetar të vendos vet drejtësi, kushdo qoftë ai.
Është obligim i institucioneve për të krijuar kushte e mirëqenje për qytetarët, për t’u siguruar se inspektorati kryen punën e vet, se keqbërësit marrin përgjegjësi sipas ligjit e ata në nevojë mbështeten e përkrahen.Akti i mbrëmshëm është i gabuar dhe nuk mund të justifikohet. Dënoj çdo akt e sjellje që cënon apo denigron tjetrin, pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt ushtrohet.