KRYESORE

Dhoma e Përfaqësuesve miraton akuzat për shkarkimin e Presidentit Trump

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi të mërkurën në mbrëmje dy akuza për shkarkimin e presidentit Trump, hera e tretë në histori që një president i nënshtrohet procesit të shkarkimit në bazë të shkeljeve të parashikuara në Kushtetutë.

Votimi historik, i ndarë prerazi në vija partiake, ashtu siç është ndarë mbarë vendi për këtë çështje, e akuzon presidentin e 45 për abuzim të pushtetit të zyrës së tij, pasi i kërkoi një vendi të huaj të hetojë rivalin e tij politik për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Akuza e dytë është për pengim të hetimeve të Kongresit për këtë çështje.

Gjyqi ndaj presidentit do të zhvillohet në Senat. Nëse Senati e shpall presidentin të pafajshëm, ashtu siç pritet të ndodhë, presidenti Trump do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale me barrën e një kandidati të akuzar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Gjyqi ndaj presidentit pritet të zhvillohet në muajin janar. Për shkarkimin e presidentit duhen dy-të-tretat e votave të Senatit prej 100 vendesh. Demokratët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, që miratoi ngritjen e akuzave, ndërsa Senatin e kontrollojnë republikanët, ku pak, ose asnjë republikan, pritet të votojë për shkarkimin e presidentit.

Gjatë ditës së mërkurë, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve debatonte rreth akuzave, presidenti Trump u shpreh përmes një postimi në Twitter se e gjitha kjo ishte “një gënjeshtër e shëmtuar e të majtës radikale, një sulm ndaj Amerikës dhe një sulm ndaj Partisë Republikane”.

Ligjvënësit demokratë thonë se Presidenti Trump duhet larguar nga detyra pasi përdori ndihmën për Ukraninën për interesat e tij personale politike.

Demokrati Jerrold Nadler është Kryetar i Komisionit Juridik në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Cili është rreziku nëse nuk veprojmë? Gjatë 94 ditëve që nga fillimi i hetimeve nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe realisht gjatë tre viteve të shkuara, një e vërtetë e padiskutueshme ka dalë: nëse nuk reagojmë ndaj abuzimit të pushtetit nga Presidenti Trump, abuzimi do të vazhdojë. Nuk mund të mbështetemi tek zgjedhjet për të zgjidhur problemin tonë kur Presidenti Trump kërcënon vetë integritetin e zgjedhjeve”, tha ai.

Nga ana tjetër, republikanët argumentojnë se telefonata e presidentit me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskiy ishte përpjekje për të trajtuar korrupsionin në Ukraninë dhe jo për avantazhe politike në Amerikë. Ata këmbëngulin se demokratët gjatë gjithë kohës kishin në mendje shkarkimin e zotit Trump.

Debbie Lesko është ligjvënëse republikane.

“Ata paracaktuan se do ta bënin dhe e bënë pavarësisht çdo gjëje. Ata nuk kishin asnjë provë, asnjë fakt por gjithsesi vepruan në të tyren. Ata po e coptojnë këtë vend”, tha ajo.

Historikisht proceset për shkarkimin e presidentit e kanë përçarë vendin. Ndërsa pothuajse gjysma e vendit mbështet procesin ndaj zotit Trump, demokratët argumentojnë se opinioni publik është në anën e tyre.

Nancy Pelosi është kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

“Publiku mendon se ata duhet të vendosin se kush është president i Shteteve të Bashkuara dhe jo ndonjë fuqi e huaj. Ata mendojnë se askush nuk është mbi ligjin dhe ne mendojmë kështu. Presidenti duhet të mbahet përgjegjës për abuzim pushteti dhe pengim të Kongresit”, tha ajo.

Edhe pse gjyqi në Senatin e kontrolluar nga republikanët pritet ta shfajësojë zotin Trump, duke e mbajtur atë në detyrë, republikanët thonë se procesi i shkarkimit do të ketë pasoja mbarëbotërore për diplomacinë amerikane.

Kevin McCarthy është udhëheqës i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Presidentit iu desh të publikonte për mbarë botën përmbajtjen e telefonatës. Kjo e ka dobësuar zyrën e presidentit, për këdo që vjen më pas. Cili udhëheqës botëror do të ndajë me presidentin amerikan qëndrime të vërteta dhe mirëkuptim dhe të mos frikësohet se biseda e tyre telefonike do të publikohet për tërë botën?”, tha ai.

Procesi i shkarkimit të presidentit është një moment i rrallë në historinë politike të Shteteve të Bashkuara.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • POLITIKE

Pas Greqisë, tani edhe Turqia kundër Shqipërisë

Sipas gazetarit dhe analistit turk İbrahim Karagül, zhvillimet e fundit rreth Ishullit të Sazanit nuk…

60 minuta ago
  • KRYESORE

Përshkallëzohet tensioni në Gjirin Persik, Irani sulmon bazat amerikane me raketa balistike

Irani ka lëshuar raketa balistike drejt bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrejn, pasi Shtetet…

11 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Propaganda pro-iraniane në protestat për Zvërnecin? Video “Lego” me AI paraqesin Shqipërinë si pjesë të rezistencës kundër Izraelit

Në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë video të prodhuara me inteligjencë artificiale, në stilin…

11 orë ago
  • KRYESORE

Izraeli dërgoi trupa në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin si pjesë e një rrjeti sekret në të gjithë rajonin

Izraeli vendosi fshehurazi njësi elitare ushtarake dhe të inteligjencës në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin,…

16 orë ago
  • KRYESORE

Hovenier: Nëse Kosova s’i përgjigjet ofertës së Trumpit për gazin, SHBA-ja mund të humbasë interesin për të

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se administrata e presidentit Donald Trump ka…

1 ditë ago
  • POLITIKE

Rama: Protestat për Zvërnecin janë “luftë hibride”, po përdoren nga armiqtë e Shqipërisë dhe Izraelit!

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për Euronews se protestat kundër projektit të…

1 ditë ago